Bujar Pllana shpallet “Ylli i Javës” në Superligë
B. H. / RTKlive
Mbrojtësi i Prishtinës, Bujar Pllana është shpallur futbollisti më i mirë i javës së 27-të në Superligën e Kosovës. Ai u vlerësua nga FFK-ja për paraqitjen e mirë në fitoren kundër Trepçës’89, me shifrat 4:1.
Pllana realizoi dy gola dhe një asist, duke qenë më i merituari që bardhekaltrit realizuan fitoren e radhës në elitë. Pllana u shpreh i lumtur për çmimin e fituar, por theksoi se rëndësi kanë pikët për skuadrën. “Është nder dhe kënaqësi që të shpallesh më i miri i xhiros në Albi Mall Superligë. Ky çmim nuk do të ishte i mundur pa ndihmën e bashkëlojtarëve dhe trajnerëve, andaj i falënderoj shumë për mbështetjen. Kemi arritur t’i marrim 3 pikë shumë të rëndësishme për ecurinë e mëtutjeshme të kampionatit, duke synuar daljen në Evrope nga vendi i tretë. Atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe shpresojmë që të vazhdojmë me këtë ritëm dhe të arrijmë objektivin e klubit, daljen në Evropë”, ka theksuar Pllana për faqen zyrtare të FFK-së pas marrjes së çmimit.























