Kosova del e para nga turneu ndërkombëtar në Bullgari
BKT
Sport

Kosova del e para nga turneu ndërkombëtar në Bullgari

Uran Krasniqi / RTKLive

Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave ka dalur fituese e turneut ndërkombëtar të zhvilluar në Sofje. Në ndeshjen finale, vajzat kosovare kanë mposhtur vendin nikoqir, Bullgarinë. 

Fitorja 1:0 i ka mjaftuar Kosovës për të shënuar triumfin dhe për të qenë më e mira.

Më herët në gjysmëfinale, Kosova ka fituar ndaj Letonisë dhe pikërisht me të njëjtin rezultat. Golin e fitores për Dardanet në ndeshjen finale e realizoi kapitenja, Erëleta Memeti, në minutën e 16-të pas një kundërsulmi të shpejtë. Ajo si zakonisht e shfrytëzoi shpejtësinë e saj dhe me gjuajtje të saktë nga zona e dërgoi topin në portën kundërshtare.

Pas kësaj epërsie të përzgjedhurat e Anneli Anderson e menaxhuan mirë lojën. Ato patën edhe disa raste tjera shënimi, por rezultati mbeti i pandryshuar dhe kësisoj Kosova iu gëzua me plotë meritë triumfit në këtë turne.

Njëherësh Erëleta Memeti u zgjodh edhe lojtarja më e mirë e turneut.

Këto dy ndeshje dhe ato të zhvilluara në muajin shkurt do t’i ndihmojnë kombëtares për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjet e ardhshme kualifikuese.