Kryediplomati suedez kërkon respektimin e Marrëveshjes së Ohrit
Edona Podvorica/RTK
Ministri i Punëve të Jashtme i Mbretërisë së Suedisë, Tobias Billström ka premtuar mbështetje për procesin e integrimit të Kosovës dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës në procedurë të rregullt. Ai këtë deklaratë e ka dhënë në Prishtinë gjatë një konference për media që zhvillime ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.
Diplomati suedez tha se të dy palët që e kanë nënshkruar Marrëveshjen në Ohër duhet ta zbatojnë. “Ne rastin e Serbisë, ata nuk duhet të pengojnë Kosovën për anëtarësim”, deklaroi diplomati suedezes, i cili gjithashtu kërkoi nga Kosova që ta zbatoje marrëveshjen dhe ta themelojë Asociacionin.
Ndërsa nikoqirja, ministrja Gervalla në konferencë falënderoi homologun e saj suedez për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës, para dhe pas luftës. Ajo tha se mërgata kosovare në Suedi i ka lidhë të dyja shtetet, derisa pret mbështetjen e Suedisë për anëtarësim në KiE dhe në BE.
“Biseduam edhe rreth procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillim e Evropës, siç e dini Kosova ka aplikuar në Këshillin e Evropës gati një vit më parë. Janë kryer disa prej procedurave të rëndësishme të parapara me statutin dhe me rregullat e Këshillit të Evropës dhe ndërkohë kërkesa jonë pritet që në një kohë jo të largët të kalojë më në fund nga Këshilli i Ministrave, në Asamblenë Parlamentare, e cila është institucioni i cili do të duhej të verifikonte plotësimin e standardeve dhe të kushteve nga ana e Kosovës. Ne jemi shumë optimist për një proces fer ndaj Kosovës dhe shpresojmë dhe presim që së shpejti të kemi lëvizje edhe në këtë drejtim. Ne jemi të gatshëm për të plotësuar të gjitha kushtet dhe kërkojmë vetëm një anëtarësim meritor”, deklaroi Gërvalla.























