Brazili pret Ancelotti-n deri në 25 maj
BKT
Sport

Brazili pret Ancelotti-n deri në 25 maj

RTSH

Brazili është ende në kërkim të trajnerit të kombëtares. Një nga kandidatët e zgjedhur nga federata braziliane e futbollit është edhe Carlo Ancelotti.

Trajnerit italian i është dërguar propozimi e përgjigja e tij e parë ka qenë se ai është ende në kontratë me Realin e madridit.

Megjithatë presidenti i federatës braziliane të futbollit, Ednaldo Rodrigues ka thënë se do të presë deri në fund të majit, një përgjigje nga Ancelotti.

"Përpara se të kaloj në planin B, dua të verifikoj plotësisht çdo mundësi që mund të kem në realizimin e planit A – ka thënë Rodrigues. - Shpresoj të jem në gjendje të shpall trajnerin tonë të ri deri më 25 maj". Ai nuk përmendi emra, por dihet se 'plani A' i tij është Carlo Ancelotti.

Trajneri italian tha se ishte ndjerë i nderuar nga oferta që i ishte bërë nga Federata Braziliane. Por më pas theksoi se ka ende një vit kontratë me Realin e Madridit dhe synon ta respektojë atë. Por në realitet kjo mund të mos realizohet në fund të sezonit, dhe mund të arrihet një marrëveshje nëse Reali nuk fiton trofe në vitin 2023. Për këtë arsye, Federata braziliane shpreson dhe pret 25 majin kur do të shpallë listën e skuadrës për ndeshjet e qershorit që do të ketë kombëtarja.

Para kësaj date, Reali i Madridit do të ketë luajtur finalen e Kupës së Mbretit në Spanjë, më 6 maj kundër Osasunës, dhe dy gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve me Manchester Cityn në 9 dhe 17 maj. Ndaj për këtë arsye situata e Ancelotti-t do të jetë më e qartë.

Në rast se negociatat me ish-trajnerin e Milan, Chelsea dhe Bayern nuk do përfundonin me sukses, atëherë Brazili do të kalojë në planin B, që ka të bëjë me këto emra, Fernando Diniz, i cili sapo ka fituar kampionatin me Fluminensen dhe pëlqehet nga federata, dhe dy portugezët Abel Ferreira dhe Jorge Jesus.