Trepça mposht Prishtinën, në finale takohet me Besën
BKT
Sport

Trepça mposht Prishtinën, në finale takohet me Besën

RTKlive

Trepça është kualifikuar në finale të Kupës së Kosovës në hendboll, pasi në gjysmëfinale e mposhti Prishtinën me rezultat 35:31.

Ndeshja u luajt në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, të shtunën mbrëma.

Skuadra mitrovicase prej fillimit ishte në epërsi dhe shpejt u shkëput në epërsi prej 5:0.

Prishtina, megjithatë, nuk u dorëzua dhe u afrua në një gol në disa raste. Madje në minutën e 37-të rezultati u barazua në 17:17.

Por sërish mitrovicasit dolën para dhe më pas mbajtën epërsi prej 4-5 golash deri në fund.

Deniz Terziqi ishte më efikasi me 9 gola te Trepça. Pivoti Sali Maxhera, që u shpall më i miri, realizoi gjashtë gola. Shtatë i kishte Yassine Henahen e pesë Lulzim Shabani.

Te Prishtina më i miri ishte Oltion Beshiri. Ai shënoi nëntë gola. Gjashtë i kishte Sergio Berreto e pesë Petrit Prekazi.

Të dielën prej orës 20:15 Trepça në finale takohet me Besa Famgas.