Sonte në ‘Minatori’ beteja e tretë mes Trepçës dhe Pejës
F.Bytyqi/RTKLive
Dy rivalët e përbetuar në basketbollin kosovar, Peja dhe Trepça do të ndeshen sonte në ndeshjen e tretë finale të play-off-it.
Seria e ndeshjeve të finaleve aktualisht është 1-1, dhe dueli i sonte që luhet në ‘Minatori’ parashikohet të sjellë një sfidë të zjarrtë pasi që të dy skuadrat synojnë fitore.
Mitrovicasit duelit të radhës kundër pejanëve i hyn me trajnerin e ri Ilir Selmanin pas largimit të papritur të turkut Engin Geçoglu.
Ndeshjen e parë e fituan mitrovicasit 94:86, kurse pejanët u kundërpërgjigjën në takimin e dytë 107:79, duke shënuar njërën nga fitoret më bindëse në këtë edicion, e kjo pikërisht erdhi në finalen e dytë.
“Xehetarët” për të depërtuar në finale eliminuan Bashkimin dhe Sigal Prishtinën, ndërsa Peja fitoi duelin verdhezi kundër Golden Eagle Yllit. Përballjet mes këtyre dy skuadrave kanë qenë gjithmonë interesante dhe kështu pritet edhe sonte në ndeshjen që fillon në orën 20:00.
Kujtojmë se, Trepça për herë të fundit ishte shpallur kampione më 2012, ndërsa Peja më 2013. Mitrovicasit fituan Kupën e këtij edicioni, ndërsa pejanët ishin finalistë të Ligës Ballkanike.























