Drita apo Ballkani kampion, për RTKLive flasin analistët
BKT
Sport

Drita apo Ballkani kampion, për RTKLive flasin analistët

F.Bytyqi/RTKLive

Elita e futbollit kosovar po shkon drejt fundit.

Ky sezon konsiderohet një nga më të zjarrtit në futbollin tonë, pasi po bëhet ‘luftë’ e ashpër në të dy frontet, titullin dhe mbijetesën, edhe pse tashmë Drenica edhe matematikisht ka humbur gjasat për të mbetur në Superligën e Kosovës në futboll.

Padyshim se garë e zjarrtë për titullin e kampionit po zhvillohet mes Dritës dhe Ballkanit. Gjilanasit dhe kampionët në fuqi të Kosovës, pas 33 javësh kanë nga 66 pikë në krye të tabelës, dhe në xhirot e mbetura të këtij sezoni, mes këtyre dy skuadrave pritet garë e ashpër për majat e tabelës.

Tovërlani: Gjithçka varët nga ndeshjet e tyre

Trajneri i njohur kosovar, Afrim Tovërlani për RTKLive.com, ka thënë se të dy skuadrat janë më gjasa të barabarta, dhe se sipas tij, gjithçka varët nga ndeshjet e tyre.

“Më thënë të drejtën të dy skuadrat i kanë gjasat e barabarta dhe se gjithçka varet nga ndeshjet. Drita duhet t’i fitojë tri ndeshjet për t’u shpallur kampion”, ka thënë Tovërlani, aktualisht përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës U-21.

Sejdiu: Ballkani ka përparësi psikologjike

Ndërkaq, Gani Sejdiu, një tjetër trajner i njohur në futbollin tonë, mendon se mes Dritës dhe Gjilanit, do të zhvillohet garë e fortë për titull të kampionit deri në fund të këtij kampionati. Sipas tij, Ballkani ka përparësi të vogël në aspektin psikologjik pas fitores së fundit kundër Dritës.

“Do të jetë një garë e fortë deri në fund të këtij sezoni. Mendoj se Ballkani ka një përparësi të vogël psikologjike pas fitores së fundit kundër Dritës, që i jep avantazh skuadrës nga Suhareka, por për Dritën humbja ndaj Ballkanit, mund të ketë pasoja në aspektin e besimit dhe moralit, megjithatë mendoj se Drita dinë të përballojë këtë. Një tjetër përparësi për Ballkanin është fakti se së të dy ekipet takohen me Gjilanin, skuadër që është në gjendje t’i rivalizojë të dy ekipet, por motivi në duel me Dritën për Gjilanin është më i lartë për shkak të rivalitetit tradicional që ekziston mes këtyre dy skuadrave gjilanase. Megjithatë, kampioni nuk do të dihet deri në fund dhe kjo gjë është e bukura e futbollit”, ka theksua Sejdiu për RTKLive.com.

Isufi: Ndeshja Gjilani-Drita përcakton titullin

Ndërkohë, ish-trajneri i Dritës, Bekim Isufi mendon se sfida mes Gjilanit dhe Dritës përcakton kampionin e Kosovës.

“Ndeshja Gjilan-Drita vendos për titull. Nëse Drita barazon atëherë titulli shkon të Ballkani, e nëse fiton, atëherë shpallet kampion”, ka pohuar Isufi.

Kujtojmë se këtë fundjave luhen ndeshjet e javës së 34-të, ku do të zhvillohen disa ndeshje tejet të rëndësishme.