Peja mposht Trepçën dhe barazon rezultatin e ndeshjeve të fituara
Uran Krasniqi/RTKLive
Ndeshja e katërt e finaleve të “Play-off”-it i ka takuar Pejës. Kësisoji rezultati me Trepçën është barazuar në 2-2 dhe kampioni do të dalë nga ndeshja e pestë në “Minatori” të enjtën.
87:83 ka qenë rezultati i ndeshjes së sontme në "Karagaçi".
Ndeshja gjatë gjithë ndeshjes ka qenë e baraspeshuar, ku fituesi është vendosur në sekondat e fundit, e ku pejanët ishin më të mirë dhe më të vëmendshëm.
Brad Waldow dhe Jalen Tate ishin më të mirët të vendasit me 14 pikë e dhjetë kërcime, përkatësisht 27 pikë, ndërsa te mysafirët më i miri ishte Drilon Hajrizi me 24 pikë e gjashtë kërcime.
Takimin e parë e kishin fituar ‘Xehetarët’ 94:86, ndërsa ndeshjen e dytë pejanët 107:79, kurse përballjen e fundit e kishin fituar mitrovicasit.
Të dy skuadrat duan titullin pas një dekade, me pejanët që e kanë fituar për herë të fundit më 2013, kurse mitrovicasit e kishin fituar më 2012.
Verdhezinjtë eliminuan kampionin Golden Eagle Yllin në gjysmëfinale, ndërsa rruga e mitrovicasve ishte pak më e gjatë, duke mundur Bashkimin dhe Sigal Prishtinën.























