E kërkuan Barça dhe Atletico, por pranoi ofertën e Leverkusenit
B. Halimi| RTKlive
Alex Grimaldo vendosi të vazhdojë karrierën në Bundesligë. 27-vjeçari spanjoll hodhi poshtë disa oferta nga vendlindja e tij dhe vendosi të bashkohet me bashkatdhetarin Xabi Alonso në Bayer Leverkusen si lojtar i lirë.
Grimaldo (27-vjeç), këtë sezon është asistuesi më i mirë në skuadrën e Benfica-s. Ai regjistroi gjithsej 15 asistime, 10 në kampionat dhe pesë në Champions League.
Duke qenë se pas përfundimit të sezonit do të jetë lojtar i lirë, interesim serioz për të shfaqën Atletico Madrid dhe Barcelona, por për habinë e të gjithëve ai pranoi ofertën e Leverkusenit.
Bayer Leverkusen, që nga tetori, kur drejtimin e skuadrës e mori Xabi Alonso, po luan mirë. Në tetor, ata ishin në vendin e 16-të në Bundesligë, kurse tani dy xhiro para përfundimit të kampionatit janë në pozitën e shtatë dhe po luftojnë për një vend në finalen e Ligës së Evropës.
Ndeshjen e parë gjysmëfinale të luajtur të enjten e kaluar, “farmacistët” e humbën si mysafirë ndaj Romës, me rezultat 1:0.
Ndërkaq, Grimaldon me Benfikën e tij i ndan një fitore nga festa e titullit kampion në Portugali. Kur kanë mbetur edhe dy xhiro për t'u luajtur, Benfica ka katër pikë më shumë se Porto.























