Alonso: Shpresojmë të përjetojmë një natë historike në ‘BayArena’
F.Bytyqi/RTKLive
Bayer Leverkusen i Xabi Alonso-s nesër mbrëma luan ndeshjen më të rëndësishme të këtij sezoni.
Leverkuseni në ‘BayArena’ do të ballafaqohet me Romën e Jose Mourinhos, në ndeshjen kthyese të gjysmëfinales së Europa League.
Skuadra gjermane në këtë duel do të hyjmë synim për të përmbysur rezultatin e lojës së parë që flet në favor të ‘romakëve’ (1-0).
Trajneri i Leverkusenit, Xabi Alonso, në konferencën për medie, një ditë para sfidës me Romën, është shprehur optimist se të besuarit e tij, mund të eliminojnë Romën. Ai thotë se skuadra e tij është përgatitur maksimalisht për të mposhtur kryeqytetasit e Italisë.
“Ne jemi profesionistë dhe jemi përpjekur të përgatitemi sa më mirë. Na pret një ndeshje intensive kundër Roma-s, por ne duam të shijojmë gjithçka që në fillim me tifozët tanë, shpresojmë të përjetojmë një natë historike në ‘BayArena’”, ka thënë Alonso.
Ai është i bindur se të përzgjedhurit e tij, do të japin më të mirën në duelin e nesërme në mënyrë që të prekin finalen e madhe të Europa League.
“Ata kanë një avantazh të vogël falë ndeshjes së parë, pas një ndeshjeje intensive, por ne duam të luftojmë për të shijuar një finale”, ka theksuar tekniku spanjoll.
Ndeshja Bayer Leverkusen-Roma fillon në orën 21:00.























