Ballkani fton tifozët për mbështetje, te Ferizaji të befasuar me Ballkanin
Uran Krasniqi / RTKLive
Ballkani ka ftuar tifozërinë për mbështetje në ndeshje me Ferizajin, ndërsa Ferizaj ka shprehur habi me përgjigjen e klubit suharekas për tifozët mysafirë.
Dy skuadrat takohen të shtunën në Suharekë në një moment kur Ballkani po përpiqet ta mbrojë titullin, kurse Ferizaji po mundohet ta sigurojë mbijetesën.
Klubi suharekas e ka quajtur ndeshjen finale të radhës.
"Nesër e zhvillojmë finalen e radhës, ku kundërshtar i yni në Suharekë është Ferizaji. Synimi i jonë janë 3 pikët që na afrojnë më pranë objektivit, mbrojtjes së titullit kampion. Lojtarët tanë kanë nevojë për mbështetjen e të gjithëve, andaj sigurisht që ajo nuk do të mungojë, por që gjithçka të rrjedh mirë e mbarë, klubi ka bërë të gjitha përgaditjet edhe në aspektin e sigurisë, për çka e kërkon edhe bashkëpunimin me ju. Brenda stadiumit nesër ndalohen të futen gjësende të forta, përfshi çdo lloj (shishe, çader, shkrebëz, parfum etj) Kontrollat do të jenë të mëdha në hyrjet e stadiumit, pasi duam që secili brenda, të ndihet komod. Na priftë e mbara Suharekë!", ka shkruar faqja zyrtare e klubit.
Te Ferizaji janë befasuar me përgjigjen negative nga KF Ballkani lidhur me tifozët.
"Bordi drejtues, stafi, futbollistët e në veçanti tifozët e KF Ferizajt janë befasuar me përgjigjen negative nga KF Ballkani. Skuadra jonë të shtunën e zhvillon ndeshjen e javës së 35-të në kuadër të Albi Mall Superligës si mysafire e Ballkanit. Ne, me kohë e kemi lajmëruar mikpritësin për interesimin e tifozëve tonë për të qenë të pranishëm në stadium për këtë ndeshje, por fatkeqësisht përgjigja që kemi marrë nuk është ajo që kemi dashur dhe që kemi pritur. Nga FC Ballkani na është thënë se nuk janë në gjendje të garantojnë siguri për tifozët tanë. Pavarësisht se futbolli dhe sporti janë ura të bashkimit të njerëzve, për fat të keq tek ne, së paku në raste të caktuara, ende nuk shihen nga ky këndvështrim. Gjithsesi, ne nuk mund t’ua ndalojmë tifozëve tonë udhëtimin për në Therandë, sigurisht tani në mënyrë individuale", ka thënë Ballkani. "Ne, i urojmë Ballkanit edicion të suksesshëm, ndërsa shpresojmë që ndeshja e kësaj jave, por edhe të tjerat në përgjithësi të kenë rrjedhën më të mirë të mundshme. Me respekt, në emër të Bordit Drejtues të FC Ferizaj, Presidenti, Lulzim Abazi".























