Iniesta mbyll aventurën në Japoni, kërkon sfidë të re
F.Bytyqi/RTKLive
Legjenda e Barcelonës, Andres Iniesta tashmë ka vendosur që gjatë kësaj verë të largohet nga Vissel Kobe, por 39-vjeçari nuk ka në plan të pensionohet.
Fituesi i Kupës së Botës në vitin 2010 njoftoi se në muajin korrik do ta mbyll aventurën në Japoni.
Ikona e Barcelonës iu bashkua Kobe-s në vitin 2018 më një marrëveshje trevjeçare dhe e zgjati atë edhe për dy vjet deri në janar 2024.
Megjithatë, Iniesta ka pasur pak minutazh në sezonin e fundit, duke bërë vetëm tri paraqitje si zëvendësuese, gjë që e ka detyruar atë të merr vendimin për largimin nga klubi japonez.
Mirëpo, Iniesta nuk do ta përfundojë karrierën e tij si lojtar dhe do të kërkojë një klub të ri për sfidën e tij të radhës. Është raportuar për një transferim në një klub të Lindjes së Mesme, megjithatë, ende nuk ka asgjë konkrete.
Iniesta ditë më parë kishte deklaruar se nuk e ka ndërmend të pensionohet dhe se është ende i aftë të luajë futboll.
“Unë dua të vazhdoj të luaj futboll. Ndjehem sikur jam i aftë të luaj akoma. Unë dua ta përfundoj karrierën time në fushë duke luajtur, dhe kjo është ajo që unë shpresoj ta bëj”, kishte deklaruar Iniesta.























