Kurti në takim me KB Peja: Jemi të interesuar ta forcojmë sportin
Sport

Kurti në takim me KB Peja: Jemi të interesuar ta forcojmë sportin

B. H. | RTKlive

Qeveria është e interesuar që ta forcojë sa më shumë sportin, i cili ka shumë rëndësi për rininë dhe për shëndetin, por edhe për afirmimin e shtetit. Kështu theksoi kryeministri Albin Kurti, të enjten, në pritjen që i bëri ekipit kampion të Kosovës në basketboll, KB Peja.

“Kryeministri vuri theksin te fakti se edicioni i sivjetmë i Superligës ka rikthyer basketbollin në vëmendjen e secilit prej nesh, duke potencuar kështu se rritja e shikueshmërisë dhe mbështetjes për sportin lokal, sinjalizon drejtimin e duhur të zhvillimit të sportit në nivel shtetëror”, thuhet në njoftimin e ekzekutivit.

Kurti uroi drejtuesit dhe lojtarët e KB Peja për arritjen në këtë sezon dhe u dëshiroi edhe më shumë suksese në të ardhmen.

Në takim, kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani. Ndërkaq, përveç lojtarëve të KB Peja, të pranishëm ishin edhe drejtuesit e këtij klubi, presidenti, Fatmir Gashi dhe zëvendëspresidenti Egzon Burri.

KB Peja, e cila shënoi 30-vjetorin e themelimit, ka rrugëtim të gjatë të sukseseve në basketbollin vendor. Ishte edicioni 1992/1993 kur Peja fitoi titullin e parë të kampionit, ndërsa edicioni 2022/2023 e bëri atë kampion për herë të shtatë.​


MË SHUME NGA Sport