Hajvalia mposht Mitrovicën dhe bëhet kampione e Kosovës
Uran Krasniqi / RTKLive
Hajvalia është kampione e Kosovës në futboll në kategorinë e femrave. Kjo pasi të premtën ka fituar ndeshjen vendimtare ndaj Mitrovicës, një rivale kjo për titull.
Ndeshja është mbyllur me rezultat 3-1.
Rezultati është zhbllokuar nga Flora Musaj, me golin e minutës së 42-të, duke e çuar Mitrovicën në pushim me epërsi. Megjithatë, në vazhdim lojtaret e EP Hajvalisë luajtën dukshëm më mirë dhe arritën të përmbysin rezultatin me golat e realizuara nga Verona Berisha (58’), Feride Kastrati (64’) dhe Albulena Guri (87’).
Fitorja e sotme ka bërë që vajzat e Hajvalisë të gjenden në pozitën e parë në tabelë me pesëdhjetë e nëntë pikë, tri pikë më shumë se sa vajzat e Mitrovicës në vendin e dytë.
Ditë më parë Mitrovica kishte fituar Kupën e Kosovës pikërisht duke e mposhtur Hajvalinë.