Dita e finales, Gjilani e Prishtina në betejën për Kupën e Kosovës
B. H. | RTKlive
Gjilani dhe Prishtina do të përballen sot në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet në finalen e Kupës së Kosovës në futboll.
Një ndeshje kjo që pritet të sjellë spektakël në tribuna nga “Skifterat” dhe “Plisat”, por edhe rivalitet të madh në fushë nga të dyja ekipet. Gjilani synon ta fitojë këtë trofe pas plot 23 vjetësh, pasi herën e parë dhe të vetme në histori të klubit një sukses të tillë e ka arritur në vitin 2000. Në anën tjetër, Prishtina e ka fituar shtatë herë Kupën e Kosovës, derisa ka marrë pjesë në dhjetë finale. Për herë të fundit bardhekaltrit e kryeqytetit iu gëzuan këtij trofeu në vitin 2020.
Prishtina sivjet ka pasur një edicion të vështirë dhe ka mbetur jashtë zonës që dërgon në garat evropiane në Superligë. Fitimi i Kupës e garanton një vend në Evropë, por paraprakisht klubi që e fiton këtë trofe duhet të jetë i licencuar për pjesëmarrje në garat evropiane nga FFK-ja. Në këtë rast, Prishtina sivjet ka mbetur pa licencë për shkak të dokumentacioneve.
Gjilani tashmë e ka siguruar pjesëmarrjen në garat evropiane, pasi e ka mbyllur kampionatin në pozitën e tretë, prandaj në rast se klubi bardhekaltër nuk arrin ta marrë licencën as pas ankesës së paralajmëruar në CAS, atëherë Evropën për herë të parë do ta shijojë Dukagjini i Klinës, që e mbylli kampionatin në pozitën e katërt.
Sidoqoftë, dëshira për ta mbyllur edicionin me trofe është e madhe si në kampin e Gjilanit, ashtu edhe në atë të Prishtinës, prandaj me të drejtë dashamirët e futbollit presin që këto dy skuadra sot të shfaqin lojë cilësore dhe angazhim maksimal. Ndeshja fillon në orën 18:00, derisa biletat janë në shitje në platformën online të FFK-së.























