Benzema ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me Al Ittihad
BKT
Sport

Benzema ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me Al Ittihad

B. H. | RTKlive

Ish-lojtari i Real Madridit, Karim Benzema, ka nënshkruar kontratë me Al Ittihad deri më 30 qershor 2025, me opsion vazhdimi edhe për një sezon.

Reali njoftoi se Benzema ka vendosur të largohet nga klubi madrilen pas 14 vitesh në "Santiago Bernabeu".

Klubi spanjoll tha në një deklaratë se ishte arritur një marrëveshje me sulmuesin 35-vjeçar francez "për t'i dhënë fund qëndrimit të tij të madh dhe të paharrueshëm në klub".

Benzema shënoi një gol për Realin në ndeshjen e xhiros së fundit të La Ligës kundër Athletic Bilbaos (1:1), dhe më pas u tha lamtumirë tifozëve.

Al Ittihad do të njoftojë zyrtarisht në ditët në vijim se Benzema është sulmuesi i ri i klubit nga Arabia Saudite.

Francezi në Al Ittihad do të ketë një pagë prej 200 milionë euro në sezon dhe në këtë numër do të përfshihen edhe aktivitete të shumta tregtare. Al Ittihad fitoi titullin në Arabinë Saudite këtë sezon.

Benzema ka qenë me Realin që nga viti 2009 dhe ka fituar një rekord prej 25 tituj me klubin. Ndër të tjera, me Realin ka qenë pesë herë kampion i Evropës dhe i botës dhe ka fituar katër tituj në La Liga.