Mancini fton pesë lojtarë të Interit për ndeshjet në Ligën e Kombeve
Uran Krasniqi / RTKLive
Pesë lojtarë të Interit janë përfshirë në skuadrën e trajnerit të Italisë, Roberto Mancini, për t`u përballur me Spanjën në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve më 15 qershor.
Francesco Acerbi, Alessandro Bastoni, Nicolo Barella, Matteo Darmian dhe Federico Dimarco, të cilët nuk ishin në listën paraprake të javës së kaluar, do t'i bashkohen kampit stërvitor të Italisë në Firence të dielën, një ditë pasi Interi do të përballet me Manchester Cityn në finale të Champions League.
Mancini ka hequr dorë nga Federico Baschirotto, Alessandro Buongiorno, Alessandro Florenzi, Federico Gatti, Manuel Locatelli dhe Mattia Zaccagni, të cilët do të largohen nga skuadra të premten.
Italia udhëton në Holandë më 14 qershor për t'u përballur me Spanjën të nesërmen dhe katër ditë më vonë do të luajë tjetër për vendin e tretë ose për titullin e Ligës së Kombeve.