Ferizaj dhe Andrej Panadiç ndajnë rrugët
Uran Krasniqi / RTKLive
Andrej Panadiç nuk është më trajner i Ferizajt. Ka qenë klubi ferizajas që ka njoftuar për ndarjen e rrugëve.
Ferizaj nuk ka arritur që të mbetet në Superligë, ku u mposht me penallti nga Liria në ndeshjen e barazhit.
"FC Ferizaj njofton se ka ndarë rrugët me trajnerin kroat, Andrej Panadiç dhe zëvendësin e tij, Nikola Boroe.
Panadiç ishte në krye të shtabit teknik tash e 7 muaj, ku në sezonin pranveror nën drejtimin e tij, skuadra arriti të mbledhë 28 pikë.
Andrej ishte fjalë pak e punë shumë. Një mentalitet i futbollit kroat, bazuar në kërkesën kryesore të tij, përgjegjësi nga secili lojtarë në fushën e lojës.
E mori ekipin në një gjendje të vështirë, kur pak kush mund të besonte se do ta kapnim barazhin. Pavarësisht që misioni nuk përfundoi me sukses, Andrej Panadiç do mbetet pjesë e rëndësishme e historikut të klubit tonë.
FC Ferizaj e falenderon trajnerin Panadiç, për angazhimin dhe grintën e treguar, duke i dëshiruar shumë shëndet e suksese në rrugëtimin profesional", ka shkruar klubi ferizajas.
"Padyshim se marrëdhëniet mes klubit dhe tani ish-trajnerit Panadiç janë të shkëlqyera dhe ku i dihet së ardhmës, ndoshta rrugët do të na bashkohen në ditë më të mira. Hvala Andrej Panadiç".