Sadiku: Shqipëria protagoniste si në “Francë 2016”
RTSH
Kombëtarja shqiptare po bëhet gati për dy sfidat e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian “Gjermani 2024”, ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe.
Për të prezantuar këto dy takime mjaft të rëndësishme sot në konferencën e zakonshme për shtyp ishte i pranishëm një emër i njohur i përfaqësueses kuqezi.
Bëhët fjalë për Armando Sadikun, lojtarin e vetëm, i cili ka shënuar një gol për Shqipërinë në fazën finale të një eventi siç është Europiani. “E prisja që trajneri do të më thërriste. Kam biseduar disa herë me të, që prej emërimit të tij. Jam shumë i kënaqur që u riktheva dhe kisha shumë kohë që e prisja grumbullimin”, tha Sadiku.
I pyetur nëse ky grup lojtarësh mund të bëjë përsëri historinë siç bënë lojtarët e “Francë 2016”, sulmuesi tha: “Jam shumë i bindur dhe kam shumë besim. Grupi na e lejon, edhe pse nuk ka ekipe të dobëta. Besoj se do t’ia arrijmë qëllimit dhe nëse do të kemi edhe mbështetjen e të gjithë tifozëve, ta fillojmë me këmbën e mbarë në ndeshjen e parë që kemi në shtëpi kundër Moldavisë. Besoj që do t’ia arrijmë sërish atij qëllimi dhe shpresoj që të jemi sërish protagonistë si në 2016”.
Mes të tjerash Sadiku tregoi se nuk e shqetëson fakti se në rolin e tij, Sylvinho ka shumë alternativa. “Konkurrenca është shumë e mirë sepse mundohesh që mos të gabosh dhe të përmirësohesh. Sa i përket faktit nëse do të jem ose jo titullar them se është zgjedhja e trajnerit, ne jemi futbollistë dhe duhet të pranojmë zgjedhjet e tij. Dhe duhet të jemi të gatshëm çdo moment që sa herë të na jepet mundësia, të japim maksimumin tonë”, pohoi Sadiku.