Delegacioni i FFK-së bën homazhe te varri i Fadil Vokrrit
Uran Krasniqi / RTKLive
Një delegacion i Federatës së Futbollit të Kosovës i kryesuar nga Bakir Burri bashkë me përfaqësues të gjeneratës së artë dhe të tifo-grupit “Dardanët” kanë bërë homazhe tek varri i Fadil Vokrrit për të nderuar veprën dhe kujtimin për të.
Legjenda e futbollit kosovar vdiq pesë vite më parë. Ai ishte kryetar i FFK-së dhe gjatë mandatit të tij Kosova ishte pranuar në organizatat ndërkombëtare të futbollit, në UEFA e në FIFA.
"Në këtë ditë, pesë vjet më parë, Kosova humbi legjendën e futbollit, Fadil Vokrrin. Ish-presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës ndërroi jetë pas një sulmi në zemër, duke tronditur komunitetin e futbollit kosovar, dy vjet pas anëtarësimit në UEFA e FIFA.
Fadil Vokrri njihej si një futbollist i shquar dhe lider i përkushtuar. Në pesë vjetorin e ndarjes së tij nga jeta delegacioni i KE të FFK-së i kryesuar nga Bakir Burri bashkë me përfaqësues të gjeneratës së artë dhe të tifo-grupit “Dardanët” kanë bërë homazhe tek varri i tij, për të nderuar veprën dhe kujtimin për të.
Në 5-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, kujtimet për Fadil Vokrrin mbeten të freskëta, derisa vlerësimi për kontributin e tij çmohet nga të gjithë", ka njoftuar FFK.
"Trashëgimia e Vokrrit si futbollist dhe si drejtues i federatës është e vështirë të përshkruhet në fjalë. Ai ishte simbol i talentit dhe pasionit për futbollin dhe me karrierën e tij të bujshme ka lënë gjurmë të thella në historinë e futbollit mbarëkombëtar".