Mesfusha, “çelësi” i suksesit
BKT
Sport

Mesfusha, “çelësi” i suksesit

RTSH

Ndeshja e parë, nga ato dy kualifikuese po afron. Moldavia është pengesa e parë e tre ditë më pas edhe Ishujt Faroe, dy sfida nga të cilat duhet të dalim me çdo kusht me 6 pikë, nëse kuqezinjtë duan të shpresojnë për kualifikimin në Euro 2024.

Mund të jenë vërtetë kundërshtarët më të lehtë në letër, por pikët duhen marrë në fushë dhe në këtë pikë, Kristjan Asllani dhe Ylber Ramadani i kanë idetë të qarta.

“Moldavia është një skuadër që do të na presë në fushën e vet. Gjëja kryesore ndaj këtij ekipi është që ta mbajmë ne topin sa më shumë. Kam mësuar shumë në Milano dhe kam ardhur këtu me objektivin të marrim tre pikët me Moldavinë”, u shpreh Kristjan Asllani. 

“Nuk është ndeshje e lehtë për ne. Duhet t’i marrim me seriozitet këto ndeshje dhe të japim 100% për të fituar dhe shpresojmë të marrim rezultat pozitiv”, tha Ylber Ramadani.

Në futboll nuk ka favoritë, ka vetëm mentalitet fituesi, gjë që Asllani, i sapokthyer nga finalja e Champions e humbur me Inter, por me dy kupa të fituara, kërkon ta përcjellë në kombëtare. Një sezon i vështirë për nga hapësirat e pakta, por i suksesshëm për nga trofetë e arritur dhe Asllani tani e di se ka më shumë përgjegjësi, ashtu si Ramadani që duhet të zëvendësojë një si Gjasula, i dëmtuar.

“Kam qenë brenda një grupi që donte t’i fitonte të gjitha ndeshjet. Kemi fituar dy kupa. Vij këtu dhe dua të jetë një grup që do të fitojë çdo ndeshje, të mendojmë ndeshje për ndeshje dhe të arrijmë te ëndrra jonë, që është Evropiani”, tha Kristjan Asllani.

“Në futboll nuk ka shumë favoritë. Në futboll duhet të hysh në ndeshje, të japësh maksimumin dhe të fitojmë ndeshjen”, pohoi Ylber Ramadani.

Precedentët me moldavët janë të gjitha të favorshme: në katër përballjet që Shqipëria ka pasur, nuk ka njohur rezultat tjetër vec suksesit. Kështu e gjithë vëmendja te Moldavia për të mos prishur rekordin, e vetëm më pas kuqezinjtë mund të mendojnë për transfertën e 20 qershorit me Ishujt Faroe.