Kurti vizitoi fabrikën përfituese nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike
E. Hoti / RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati kanë vazhduar edhe sot vizitat në bizneset prodhuese. Kësaj radhe ata vizituan fabrikën për grumbullimin, konservimin dhe paketimin e perimeve në Komunën e Gjakovës, me pronar Frrok Hajdaraj, e cila është përfituese e masës 2.1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Sipas njoftimit nga Qeveria, kryeministri Kurti u shpreh i nderuar që sot vizitonte këtë kompani e cila i ka 31 punëtorë të përhershëm ndërsa gjatë sezonës dyfishohet numri i tyre.
"Merren me grumbullimin, konservimin dhe paketimin e perimeve. 90 për qind të prodhimit të tyre e eksportojnë në Gjermani, Austri, Zvicër edhe në Suedi, e këtë e bëjnë përmes kompanive që atje i kanë bashkatdhetarët tanë’’, u shpreh kryeministri.
Teksa falënderoi Hajdaraj për mikpritjen dhe për njoftimin që ua bëri me procesin e prodhimit këtu, tha se kjo ka ndikuar që rreth 100 fermerë të zonës të kenë kontrata me këtë fabrikë.
Përmes masës 2.1 të Pakos për Ringjallje Ekonomike që është subvencionimi i kredive investuese deri në 20 për qind, kryeministri Kurti tha se edhe kjo fabrikë ka përfituar dhe kështu i kontribuar rritjes të prodhimit por gjithashtu edhe kontributit për shtetin dhe për ekonominë e Kosovës.
Ndërkaq, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se ishte kënaqësi të vizitojnë një prodhues vendor të tillë i cili përveç se furnizohet nga prodhuesit apo bujqit, produktet i merr të gjitha lokale, por bën edhe eksportimin e pothuajse të gjithë produkteve që i prodhon. ‘’Si qeveri përmes masave po mundohemi të ndikojmë në gjithë zinxhirin prodhues, në gjithë zinxhirin e shtimit të vlerës duke filluar nga subvencionimi i bujqve pra që bën Ministria e Bujqësisë e deri tek ngritja e kapaciteteve për prodhim e pastaj edhe për plasim në treg vendor apo eksport’’, tha ai.
Njoftohet se bashkë me kryeministrin Kurti dhe ministrin Murati, ishin edhe deputetët Jahja Koka dhe Ardian Gola.























