Haradinaj: Sigurimi i librave, sfidë për prindërit
BKT
Lajme

Haradinaj: Sigurimi i librave, sfidë për prindërit

SH.Ç/RTKlive

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se nuk e kupton  kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, në çështjen e furnizimit të nxënësve me tekste shkollore.

Pas takimit me kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, Haradinaj ka theksuar se Kurti e Nagavci do të duhej t’i kërkonin falje Kosovës. Sipas tij, prindërit do ta kenë të vështirë furnizimin me tekste për fëmijët e tyre.

“Kam ardhur me dy qëllime: të mësoj edhe më afër se si është gjendja me këtë situatën me tekstet, për shkak se informatat që i kemi marrë janë mjaft shqetësuese. Për fat të keq, ajo që mësova edhe nga biseda, është se është një situatë jo e mirë. Pra, nga praktika që tekstet do t'i kenë në shkolla, për prindërit do të jetë një luftë e vërtetë për t'i siguruar këto tekste, e përfshihet edhe problemi i kostos. Shumë prindër janë në vështirësi ekonomike. Mund të mos i kenë në prioritet tekstet. Nuk e kuptoj pafytyrësinë e Kurtit dhe të ministres, të paktën një kërkimfalje Kosovës. Kosova i paguan ata që në pranverë të kryhet çështja e teksteve për vjeshtë. Ata njerëz pa asnjë keqardhje dalin dhe i tallin të gjithë. Kjo situatë, në rrethana të njerëzve normalë, ndryshe duhet të ishte”, ka deklaruar Haradinaj.

Kreu i AAK-së, Haradinaj edhe një herë është shprehur pro rrëzimit të Qeverisë Kurti nëpërmjet mocionit të votëbesimit.

“Shumë njerëz po i bëjnë thirrje qeverisë tonë të kthehet me aleatët, me Amerikën, me NATO-n me BE-në, por fatkeqësisht, Kurti dhe kjo qeveri ka zgjedhur një rrugë tjetër. Pasojat po i rriten Kosovës, do t'i rriten edhe parashikimet nuk janë të mira për asnjë temë. Mocioni është mënyra më e duhur edhe legjitime edhe demokraci. Opozita ka votën sa të iniciojë mocionin, pastaj do të duhej ndihma e deputetëve të tjerë. Shpresoj që në një rrethanë të caktuar do të arrijmë unitetin brenda opozitës. Por po, është opsion”, ka theksuar Haradinaj.

Kurse, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka theksuar se procesi mësimor do të nisë më 1 shtator, por siç ka thënë ai shumë nxënës e mësimdhënës nuk do t’i kenë tekstet shkollore. Jasharaj ka thënë se krahas gjendjes së krijuar, mësimdhënësit do të vazhdojnë “luftën” me shkumës e shpuzë.

“Edhe në këto rrethana të padrejta të këtij sulmi të ri ndaj prindërve e nxënësve dhe vetë neve arsimtarëve, të Qeverisë Kurti e në këtë rast MASHTI-t e ministres, ne do të vazhdojmë betejën për dije me kushtet që i kemi. Qeveria me gjithë ato fjalë të mëdha të Kurtit, në vend që të na sjellë laptop e projektor, nuk po na sjell në shkolla as libra. Do të vazhdojmë betejën me gjysmë numri të teksteve, me shpuzë e shkumës, e ata nuk do të prajnë në Facebook-a e gjetkë për të na sharë prapë. Edhe ne jemi prindër, urojmë që prindërit të kalojnë këtë siklet, urojmë që të mos humben shumë ditë të mësimit”, ka deklaruar Jasharaj.


MË SHUME NGA Lajme