Gjimshiti beson se mund të dilet me rezultat pozitiv nga Praga
Uran Krasniqi/RTKLive
Mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Berat Gjimshiti ka thënë se kuqezinjtë janë gati të përballen me Çekinë nesër, duke shprehur besim se mund të dilet me një rezultat pozitiv nga Praga.
Ai ka folur në një konferencë të mërkurën një ditë para ndeshjes.
"Sigurisht që po (mund t'ia dalim v.j.). Jemi një grup me shumë eksperiencë dhe me lojtarë të rinj që japin gjithçka. Besojmë 100%, nëse nuk besojmë, gabojmë. Vendimtare? Çdo ndeshje është vendimtare, nuk ka rëndësi kundërshtari, a është Çekia apo Moldavia. Janë gjithmonë 3 pikë në lojë. Janë ndeshje finale ku duhet të japim maksimumin dhe më pas shohim ku do të arrijmë", ka theksuar futbollisti që luan te Atalanta.
Ai ka folur edhe për Çekinë dhe mungesën e sulmuesit Patrik Schick.
"Forca e Çekisë nuk janë individualitetet, është grupi. Kanë një forcë shumë të lartë, me ekipe që luajnë në klube të mëdha, me shumë cilësi. Unë e njoh Patrik Shik, pasi kam luajtur në Itali me të, është një lojtar super i fortë. Ka pasur dëmtime, që e kanë frenuar nga forma, por do rikthehet edhe ai. Çekia mbetet një ekip shumë i fortë dhe favorit për t’u kualifikuar", ka thënë Gjimshiti.























