Krasniqi në Asamblenë e ICMG-së: Jemi gati
F.Bytyqi/RTKLive
(E plotësuar) Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), duke folur për kandidaturën e Kosovës për Lojërat Mesdhetar 2030, ka thënë se Kosova është krenar me ofertën për organizimin e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030.
Ai është shprehur i bindur se Kosova është në gjendje të organizojë në mënyrën më të mirë të mundshme në një event të tillë sportiv.
“Vendi ynë i ri e popullsia jonë e re qëndron me vullnet dhe me krenari në ofertën për të mbajtur këto lojëra me mbështetjen e gjithë partnerëve tanë. Jam këtu për të thënë me krenari para familjarëve tanë olimpikë, miqve tanë: Jemi gati! Oferta jonë për të mbajtur Lojërat Mesdhetare motivohet në kulturën dhe larminë e pasur mesdhetare dhe dedikimin tonë për sport. Pasioni ynë për të mbajtur këto lojëra bazohet në përkushtimin tonë për prezantimin e rritjes së potencialit dhe aftësisë së vendit tonë për të organizuar një ngjarje sportive botërore”, tha kreu i KOK-ut.
Kryeministri Kurti në asamblenë e ICMG-së: Sportin e kemi në ADN
(E plotësuar) Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), duke folur për kandidaturën e Kosovës për Lojërat Mesdhetar 2030, ka thënë se sportin e kemi në ADN.
Ai është zotuar se do të mbajë premtimin e dhënë për organizimin e mirë për Lojërat Mesdhetare 2030.
“Jemi të nderuar të përfaqësojmë vendin tonë dhe aspiratat e qytetarëve tanë për të qenë nikoqir të Lojërave Mesdhetare të vitit 2030. Një ngjarje sportive që mbart një peshë të madhe historike e sportive etj”, ka thënë kryeministri Kurti.
“Ideja e nikoqirëllëkut për Lojërat Mesdhetare në vendin tim nuk është vetëm një garë, por është një pasqyrim i dedikimit të shoqërisë sonë për promovimin e paqes, nderimit e të kaluarës dhe kultivimin e një rrugëtimit të një avancimi. Nuk ka imazh më të madh të Kosovës, sesa të rinjtë të talentuar e kreativ të një përkushtimi të papërmbajtshëm drejt suksesit. Ajo që na dallon neve është që mbi 40% e popullatës jemi nën moshën 35 vjeç, pra 2/3 e popullatës janë në këtë moshë. Kosova është vend sporti. Sportin e kemi në ADN. Arritjet e shquara sportive dhe dedikimi drejt përsosmërisë e ka ngritur vendin tonë në skenën ndërkombëtare në shkallë globale”, tha kryeministri Kurti.
Pas pak minutash në Asamblenë e ICMG, do të votohet kandidatura zyrtare e Kosovës për të organizuar Lojërat Mesdhetare të vitit 2030.
Kryeministri Kurti në Asamblenë e ICMG-së
(E plotësuar) Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tashmë është në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG).
Pas pak minutash do të votohet kandidatura zyrtare e Kosovës për të organizuar Lojërat Mesdhetare të vitit 2030.
Hasani: Prishtina do të jetë organizatore e Lojërave Mesdhetare 2030
(E plotësuar) Ish-presidenti i Komiteti Olimpik i Kosovës, Besim Hasani është i bindur se Kosova do të jetë organizatore e Lojërave Mesdhetare 2030.
Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) është duke u mbajtur në Heraklion të Greqisë.
Në njërën nga pikat e shumta të rendit të ditës, është edhe kandidatura zyrtare e Kosovës për të organizuar Lojërat Mesdhetare të vitit 2030.
Hasani në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, beson fuqishëm se vendi i ynë do të jetë organizatore e Lojërave Mesdhetar 2030, pasi që sipas tij, Kosova është kandidatura e vetëm për këtë event të madh sportiv.
“Është një hap i madh, një hap që i bën ndër Kosovës. Benifitet dhe përfitimet janë të gjithëanshme. Meqenëse se jemi i vetëm vendi kandidat për këto lojëra, pritshmerit janë të mëdha”, ka thënë Hasani.
“Janë bërë përgatitjet e mundshme dhe besoj se sot do të merret vendimi dhe Prishtina do të jetë organizatore e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030”, ka theksuar Hasani.
E premtja, ditë historike për Kosovën
Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) tashmë ka nisur në Heraklion të Greqisë.
Në njërën nga pikat e shumta të rendit të ditës, është edhe kandidatura zyrtare e Kosovës për të organizuar Lojërat Mesdhetare të vitit 2030.
Asambleja ka nisur në ora 10:00, ndërsa kandidatura “Prishtina 2030” është në rend të ditës prej orës 15:30 me kohën tonë lokale.
Një ditë pas Asamblesë, do të hapen edhe zyrtarisht Lojërat Mesdhetare në Rërë Heraklion 2023, ku Kosova po përfaqësohet me 26 sportistë të sporteve të volejbollit në rërë, basketbollit 3X3, hendbollit në rërë, karate në kata dhe notit në ujëra të hapura.























