Muslija për futbollistët me dilema përzgjedhjeje: Ta duam Kosovën me vepra
BKT
Sport

Muslija për futbollistët me dilema përzgjedhjeje: Ta duam Kosovën me vepra

Uran Krasniqi / RTKLive

Futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Florent Muslija e ka një këshillë për ata që fillimisht i thonë "po" Kosovës dhe pastaj përfundojnë te një kombëtare tjetër. 

"Kam një mesazh shumë të sinqertë e vëllazëror për të gjithë ata bashkëlojtarë të të gjitha grupmoshave. Është e drejtë legjitime e secilit të vendos me zemër, është po ashtu e drejtë legjitime të analizosh e të konsultohesh. Ama në momentin që vendos me i thanë PO Dardanëve dhe shtetit tënd, nuk është as morale e as profesionale dhe nuk ka asnje arsye të ndërrosh mendje për joshje tjera", ka shkruar ai në rrjetin social Instagram.
Ai ka thënë se gjithmonë e ka mbështetur Kosovën. 
"Në mbështetje të Kosovës edhe kur isha keq, por edhe tani kur jam mirë. I thash -PO - Kosovës në momentin që isha pjesë e U20 dhe i ftuar te U21 i Gjermanisë. Kishte tendenca joshjeje edhe nga shumë kombëtare që unë të ndrroj mendje. Kosova është shteti jonë i cili u krijua me mund e sakrificë të jetrave, e FFK si pjesë e shtetit tonë po ashtu kaloi në izolim për afër tri dekada me sakrificë të shumë gjeneratave që ne ta gëzojmë tani këtë periudhë që ta përfaqësojmë shtetin tonë në të gjithë globin", ka shkruar Muslija. "Edhe atëherë Kombëtaren e Gjermanisë e as sot Kombëtaren e Kosovës nuk e kam pa dhe nuk e shoh për promovim timin personal. Por e kam parë dhe e shoh si krenari të përfaqësimit të shtetit të Kosovës dhe për ti bërë të lumtur të gjithë qytetarët e vendit tim".
Sipas tij, Kosova ka qëndruar afër tij përmes përfaqesuesit të saj në Gjermani që nga mosha dymbëdhjetë vjeç. "FFK të njëjtën gjë është duke e bërë në të gjithë Gjermanin e Europën, dhe kjo me detyroj të reagoj pasi që gjithë ky mund e gjithë kjo përkujdesjeje me vite për të qëndruar afër të gjithë talenteve nuk ishte dasht të ketë vend për dëshprim", ka shkruar futbollisti i Paderborn. "Ta duam Kosovën Dardane me vepra". 
Kosova së fundmi është ballafaquar me një situatë kur një numër i futbollistëve seniorë po edhe nga zinxhiri i moshave e kanë braktisur atë duke iu bashkuar ekipeve të tjera. Më së shumti Shqipërisë.