Festivali i Këngës në RTK drejt ditëve të fundit të përgatitjeve
BKT
Akordet e Kosovës

Festivali i Këngës në RTK drejt ditëve të fundit të përgatitjeve

Medina Pasoma, RTKlive

Edicioni i parë i Festivalit të Këngës në RTK do të nis edhe 5 ditë. Organizatorët janë duke kompletuar detajet e fundit në mënyrë që tre netët e festivalit të jenë pararendëse të edicioneve tjera që priten të organizohen.

Drejtori Adi Krasta, javë më parë në një intervistë pati thënë se nëpërmjet këtij Festivali do t’i dhurohet Kosovë “një zë i rëndësishëm”.

“Është një aktivitet mbarëkombëtar, i dedikohet cilësisë së lartë të krijimit muzikor, sjelljes plotë shije dhe elegancë të njerëzve në televizion dhe do të realizohet vetëm për t’i dhënë Kosovës e mbarë shqiptarisë një zë të rëndësishëm sepse Kosova është shumë e avancuar dhe plotë energji”, kishte thënë Krasta.

Gjatë datave 26, 27 e 28 do të shpalosen 18 këngët garuese, të cilat janë vlerësuar nga juria përzgjedhëse për diversitetin e zhanreve të ndryshme. Përtej programit konkurrues, organizatorët janë përkujdesur që të ketë edhe program mysafir, me këngëtarë të shquar të skenës vendore, shfaqje e dimensione tjera artistike.

Ndërkaq me datë 23 tetor duke filluar nga ora 12:00, në Sallën e Filharmonisë së Kosovës në Pallatin e Rinisë, do të mbahet konferenca për media nga organizatorët, të cilët do të shpalosin më shumë detaje për këtë edicion.

“Në prag të Festivalit të Këngës së RTK-së, ju ftojmë në konferencën për media, me ç’rast ekipi realizues, i kryesuar nga z. Adi Krasta, drejtor i festivalit, drejtori artistik, z. Florent Boshnjaku dhe prezantuesit e tri netëve të festivalit, do të shpalosin para jush informacionet më të reja rreth përgatitjeve finale dhe përmbajtjes së tij”, thuhet në njoftimin për media.


MË SHUME NGA Akordet e Kosovës