Salla ku mbahet Festivali i këngës në RTK, me plot vizitorë
Albana Bajrami/RTK-Radio
Pak ditë na ndajnë nga nisja e Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës, ndërsa përgatitjet po vazhdojnë në mënyrë intensive. Përveç 18 këngëve garuese, Festivali do të ketë një program me shfaqje të ndryshme e të ftuar specialë. Pallati i Rinisë do të ketë tri ditë festë, thonë organizatorët, ndërsa salla ku do të mbahet festivali po vizitohet pothuajse çdo ditë nga nxënës e qytetarë.
Atmosfera në Pallatin e Rinisë, ku do të mbahet Festivali i Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës është entuziaste, me punë të vazhdueshme mes skenografëve, organizatorëve dhe vizitorë të shumtë që janë kureshtarë për të parë se çfarë po ndodh aty. Salla ku do të performojnë këngëtarët pjesëmarrës në Festival, vizitohet pothuajse çdo ditë nga nxënës dhe qytetarë të shumtë.
E nxënësit e gjimnazit “Eqerem Çabej” të Vushtrrisë, mezi po presin që ta shohin nga afër Festivalin e Këngës në RTK. Erina dhe Elvina shprehen emocionet e tyre rreth këtij festivali.
Skenografia e punuar nga Shqipe Kamberi dhe Rudina Xhaferi, është në përfundim të saj, ndërsa për artistët që do të performojnë në festivalin e parë, do të mbetet e paharruar pjesëmarrja e tyre. Ekipi i festivalit në krye me drejtorin Adi Krasta, është në dinamikën e punës, derisa Krasta kohë më parë ka thënë se përveç këngës, ky festival do të jetë edhe një festë për Kosovën dhe komunitetin artistik.
Drejtori artistik, Florent Boshnjaku, në një intervistë për RTK-në, ka folur për rëndësinë e këtij festivali.
Drejtuesit e Festivalit, shpresojnë që së shpejti të hapet rruga që kënga fituese e Kosovës, të jetë pjesë e Festivalit evropian “Eurosong”.
Edicioni i parë i Festivalit të Këngës realizohet në Prishtinë, në Sallën e Madhe të Pallatit të Rinisë dhe transmetohet live në Radio Kosovë dhe në Televizionin e Kosovës. Tre netët live të Festivalit të Këngës në RTK do të zhvillohen në datat 26, 27 e 28 tetor 2023. Përveç 18 këngëve garuese, të cilat vlerësohen për diversitetin e zhanreve të ndryshme, Festivali do të ketë një program me shfaqje të ndryshme e të ftuar specialë.























