Gërvalla: Festivali i RTK-së, festë për tërë Kosovën|Video
BKT
Akordet e Kosovës

Gërvalla: Festivali i RTK-së, festë për tërë Kosovën|Video

Sh.Gashi/RTKlive

Vetëm edhe një ditë na ndan nga nata e parë e Festivalit të Këngës në Radio Televizionin e Kosovës.

Përgatitjet për nisjen e Festivalit të parë të Këngës në Kosovë po shkojnë drejt fundit. Orkestra e themeluar për këtë ngjarje, bashkë me 18 artistët konkurrues të edicionit të parë, janë zhvendosur me prova në hapësirën e Pallatit të Rinisë.

Drejtori i Televizionit të Kosovës, Rilind Gërvalla, tha se kanë punuar shumë për këtë organizim. “Do të sjellim një produkt të jashtëzakonsëm që do të jetë festë për tërë Kosovën. Ky festival është një ngjarje e jashtëzakonshme, është filluar në një farë forme edhe negociatat për anëtarësimin tonë në EBU dhe Eurosong”, tha ai.

Gërvalla bëri me dije se kanë bashkëpunuar me Komunën e Prishtinës, për të realizuar këtë projekt që është shumë me rëndësi për Kosovën. Ai ka përmendur mbështetjen që kanë dhënë televizionet e rajonit për festivalin e RTK-së.

“Ne jemi përpjekur që të ndihmojmë Radio Televizionin Shqiptar me këngëtarë të ndryshëm që kanë ardhur nga Kosova, kjo nuk do të thotë që ne jemi duke i bërë karshillëk Festivalit të Këngës, sepse natyrisht ai është më jetëgjatë se festivali ynë por në po mundohemi që të sjellim bashkërisht një produkt që i ngjason atij të Eurovizionit”, tha ai.

Sipas tij, bashkëpunimi ka qenë absolutisht në nivelin e duhur si me kryetarin e Prishtinës Përparim Ramën, si me drejtoreshën e Pallatit të Rinisë Mrika Gashin, të cilët kanë ndihmuar jashtëzakonisht shumë që të realizohet e gjithë skena aty siç ishte me ndërmarrje të ndryshme që i takojnë Komunës së Prishtinës.

“Ne jemi përpjekur që të bashkëpunojmë edhe me EBU-në edhe me Radio Televizionin e Malit të Zi që na kanë ndihmuar me disa prej pajisjeve, kështu që pa bashkëpunimin lokal edhe qendror, me ndihmën e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve, me subvencionet që na kanë dhënë për ta realizuar këtë festival, me marrëdhëniet e ngushta me të gjitha televizionet rajonale, që na ka sjellur deri te bashkëpunimi i frytshëm dhe uroj që nesër qytetarët e Kosovë të dëgjojnë këngë të mrekullueshme. 18 prej tyre ne si menaxhment nuk kemi arritur t'i dëgjojmë, por nesër bashkë do t'i dëgjojmë”, tha ai.


MË SHUME NGA Akordet e Kosovës