Çeku: Çështjet ligjore pamundësuan rikthimin e "Akordeve të Kosovës"
M.P. / RTKlive
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku nga tapeti i kuq i Festivalit të Këngës në RTK, ka sqaruar çështjen, e cila po diskutohet tash e disa ditë nga opinioni publik, e që ka të bëjë me emërtimin e kësaj ngjarje.
Çeku tha se mosemërtimi i ngjarjes me emrin “Akordet e Kosovës” ka të bëjë me procedura ligjore dhe jo me mungesën e vullnetit të RTK-së.
“Pjesa më e bukur e diskutimit të parë me menaxhmentin e RTK-së ka qenë propozimi që ky festival të quhet ‘Akordet e Kosovës’ dhe ta ruajmë trashëgiminë më tutje, por kanë qenë disa çështje ligjore, siç është sqaruar nga menaxhmenti i RTK-së, të cilat po shpresoj që do të tejkalohen dhe duke e rikthyer festivalin e rikthejmë edhe emrin e bukur të ‘Akordeve të Kosovës”, ka thënë Çeku.
Tutje i pari i kulturës në vendin tonë tha se reagimi i publikut për Festivalin e Këngës ka qenë plot entuziazëm, teksa synimet janë që të arrihet pjesëmarrja në “Eurosong”.
“Në dy netët e kaluara reagimi i publikut ka qenë pozitiv, është pritur me entuziazëm të madh sepse edhe po fillon, por edhe po vazhdon një traditë që ka ekzistuar dikur. Jemi të lumtur që po e bëjmë me emra të njohur të Shqipërisë, emra të skenës, organizimit e dijes për organizimin e festivaleve”, ka thënë ministri Hajrulla Çeku.