Këndojnë 10 finalistët, përfundon pjesa garuese në Festivalin e Këngës
M.P. / RTKlive
Zyrtarisht ka mbaruar pjesa garuese në Festivalin e Këngës në RTK. Në natën finale kanë kënduar 10 artistët garues.
Tani do të ketë punë për jurinë profesionale në përbërje: Alma Bektashi, kryetare, Ulja Sjostrom, anëtare që vjen nga Suedia dhe ka përfaqësuar shtetin e saj në “Eurovision” si dhe anëtarët e tjerë si kompozitori nga Tirana, Adi Hila, këngëtari Alban Nimani dhe artistja e arteve pamore, Zake Prelvukaj.
Ata kanë punën më të vështirë, ngase do të marrin vendimin për përzgjedhjen e fituesit/fitueses së edicionit të parë.
Ndërkaq organizatorët e Festivalit deri në kumtim të artistit ose artistes fituese, kanë përgatitur program të larmishëm me mysafirë të shumtë.
Performon konkurrentja e fundit e këtij edicioni, Saranda Alija
Konkurrentja e fundit e mbrëmjes finale të Festivalit të Këngës, Saranda Alija ka performuar këngën e saj.
Ajo po garon me veprën “Mendoj ku je”, e cila është kompozuar dhe shkruar nga Arbër Krasniqi.
Me performancën e saj përmbyllet gara zyrtarisht.
Me ‘Oj Kosovë’ ngjitet në skenë La Fazani
Artisti i njohur me nofkën artistike “La fazani” është prezantuar me këngën “Oj Kosovë”.
Pjesa muzikore dhe tekstuale është nën autorësinë e tij.
Paraqitet Hilmi Obërtinca me ‘Pa ty s’më rrihet’
Hilmi Obërtinca është garuesi i radhës në edicionin e parë të Festivalit të Këngës në RTK.
Obertinca prezantohet me këngën “Pa ty s’më rrihet”. Kompozimi dhe teksti është nën autorësi të tij.
Me këngën ‘Ajo’ prezantohet Albin Nikprelaj
Po vazhdon nata finale e Festivalit të Këngës në RTK me interpretimin e garuesve. Në skenë është ngjitur konkurrenti Albin Nikprelaj.
Ai po prezantohet me këngën “Ajo”, kompozimin e së cilës e ka realizuar Enis Mullaj, ndërkaq teksti është shkruar nga Eriona Rushiti.
Nita Latifi performon ‘Marrëzi’
Nita Latifi është konkurrentja e gjashtë sonte.
Ajo është prezantuar në Festivalin e Këngës me veprën “Marrëzi”. Latifi ka kënduar këngën që e ka kompozuar e shkruar vet.
E pesta në garë, performon Klea Dina
Konkurrentja e pestë e mbrëmjes finale është Klea Dina.
Ajo solli këngën “Trenat” , e cila është kompozuar nga Memli Kelmendi dhe është shkruar nga Drenusha Zajmi.
Kënga e katërt sonte në Festivalin e Këngës, këndon Angus Dei
Kënga e radhës në natën finale të Festivalit të Këngës ka qenë “Një zemër për dy”.
Ajo është kënduar nga konkurrentja Angus Dei. Kompozimin dhe tekstin e kësaj kënge e ka bërë Erjon Zaloshnja.
Neki Emra rikëndon ‘Heroi im’, vazhdon gara për trofeun e Festivalit
Dalëngadalë po ngjiten në skenë 10 artistët garues, pretendentë drejt trofeut të Festivalit të Këngës. Neki Emra është këngëtari i radhës.
Ai po këndon “Heroi im”, si dedikim për babain e tij në RTK, teksa është marrë vet me kompozimin dhe tekstin e këngës.
Kënga e dytë për sonte, ‘Ëndrrat s’kanë faj’ nga Urban Band
Konkurrenti i dytë i mbrëmjes është grupi “Urban Band”.
Ata po marrin pjesë në këtë festival me kompozimin muzikor të Klodian Regxhepaj të quajtur “Ëndrrat s’kanë faj”.
Nis gara drejt çmimit të Festivalit të Këngës, Auron Deva në skenë
Zyrtarisht ka nisur gara në natën finale të edicionit të parë të Festivalit të Këngës në RTK.
Në mesin e 10 këngëve drejt trofeut të Festivalit, e para që po dëgjohet sonte është “Çmimi i dashnisë” nga Auron Deva.
Kënga është realizuar nga kompozitori dhe tekstshkruesi Korab Shaqiri.