Timo Flloko drithëron skenën me poezinë `Himni i Flamurit`|Video
Festivali i Këngës

Timo Flloko drithëron skenën me poezinë `Himni i Flamurit`|Video

M.P. / RTKlive

Aktori i famshëm shqiptar, Timo Flloko, ka shkëlqyer në skenën gjigante të Festivalit të Këngës në RTK. Nga aty ai ka kujtuar vendin e tij të lindjes, Pejën, ndaj së cilës ka recituar poezinë të cilën e ka shkruar vite më parë. Përveç kësaj, Flloko ka interpretuar mjeshtërisht dhe me emocione kulmore poezinë e Fan Nolit "Himni i Flamurit".

“Shtëpia ime ka qenë buzë Bistricës, në qendër midis dy urave, përballë kishte kinemanë. Frymëzimet e mia të para i kam marrë aty sepse çdo natë shikoja filma, kryesisht amerikanë. Besoj se aty ka qenë embrioni i frymëzimeve të mia për t’u bërë aktor”, ka thënë Flloko për Pejën.

Ai ka shprehur përgëzimet e tij ndaj organizatorëve të Festivalit të Këngës, duke thënë se asnjëherë nuk është vonë për ngjarje të tilla. Flloko ka ndarë nga skena e Pallatit të Rinisë momente nga përvoja e tij e gjatë si aktor.

“Suksesi është shumëçka, është shumë për artistin, sportistin dhe gjithë krijuesit. Por më e rëndësishme se suksesi është investimi për ta arritur atë. Fama ndonjëherë mund edhe të blihet e manipulohet por arti jo. Të mbërrish në art nuk është lehtë”, ka thënë Timo Flloko.

“Burrat e tillë trima monumentalizohen, si Çerçiz Topulli, Adem Jashari janë figura që i kapërcejnë dimensionet kohore, mbetën të përjetshëm në kujtesën e kombit. Është nder i madh të kesh fatin të luash rolin e tyre. E ndjej veten me fat që kam luajtur Çerçiz Topullin”, ka thënë aktori i njohur.

Flloko është i njohur për rolet  e tij në filmat “Lulëkuqet mbi mure”, “Njeriu me top” e “Angel’s Dance”.

 


MË SHUME NGA Festivali i Këngës