Kurti e Bayraktar flasin për mundësitë e reja të bashkëpunimit
BKT
Lajme

Kurti e Bayraktar flasin për mundësitë e reja të bashkëpunimit

F.S / RTKlive

Kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe zëvendësministrin e kësaj ministrie, Shemsi Syla, mirëpriti në takim drejtorin Ekzekutiv të kompanisë së mbrojtjes Baykar, Haluk Bayraktar, që po shoqërohej nga Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili.

Në një njoftim për media nga Qeveria e Kosovës thuhet se gjatë takimit, kryeministri Kurti dhe drejtori i kompanisë "Baykar", Bayraktar diskutuan për mundësitë e reja të bashkëpunimit.

“Forca e Sigurisë së Kosovës përgjatë dy viteve të fundit është zhvilluar dukshëm sa i përket kapaciteteve luftarake, e padyshim në këtë aspekt përveç rritjes për më shumë se dyfish të buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes, në mënyrë direkte ka ndikuar edhe bashkëpunimi i shkëlqyer me kompaninë turke Baykar dhe Qeverinë e Republikës së Turqisë me të cilën kemi bërë blerjen e dronëve TB2 dhe pajisjeve tjera më moderne ushtarake”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim thuhet se Kurti shprehu mirënjohjen e tij ndaj Bayraktar për mënyrën se si është trajtuar me prioritet të lartë çdo blerje e Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, duke dëshmuar kësisoj edhe një herë raportet e ngushta ndërmjet Kosovës e Turqisë.

Ai gjithashtu e uroi Bayraktar për medaljen “Shërbim të Shquar”, me të cilën u dekorua sot nga ministri i Mbrojtjes, Maqedonci, që njëherësh është edhe çmimi më i lartë ushtarak në vendin tonë, për vullnetin, gatishmërinë dhe bashkëpunimin me Qeverinë e Republikës së Kosovës.


MË SHUME NGA Lajme