Zyba e Berisha: Kemi kualitet, ta tregojmë në fushë edhe ndaj Zvicrës
BKT
Sport

Zyba e Berisha: Kemi kualitet, ta tregojmë në fushë edhe ndaj Zvicrës

Uran Krasniqi/RTKLive

Futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Qëndrim Zyba ka thënë se skuadra në ndeshjen kundër Zvicrvs pritet ta japë maksimumin dhe të marrë rezultat pozitiv.

Pas fitores së realizuar kundër Izraelit skuadra u është rikthyer stërvitjeve për t’u përgatitur për ndeshjen kundër Zvicrës, që zhvillohet më 18 nëntor në Bazel.

“Është mirë që ne kemi fituar kundër Izraelit dhe kjo është shumë e rëndësishme, por edhe ne si futbollistë të Superligës kemi bërë paraqitje të mirë. Shpresoj që të qëndrojmë me këmbë në tokë, të japim maksimumin në çdo ndeshje dhe të rritemi gradualisht. Përballja me Zvicrën? Patjetër që ne do të japim gjithçka nga vetja sepse çdo ndeshje e vlerësojmë maksimalisht. Padyshim se Zvicra është një kundërshtar shumë i fortë, por ne mendojmë të japim maksimumin dhe pse jo të mos marrim rezultat pozitiv", ka thënë Zyba. "Mendoj se kemi kualitet brenda grupit dhe kemi një atmosferë fantastike, prandaj pse të mos shpresojmë në rezultat pozitiv, kur i kemi mundësitë për ta arritur një gjë të tillë”. 

Futbollisti tjetër, Bernard Berisha duke folur për përgatitjet ka thënë se gjithçka po shkon mirë.

“Izraeli? Ishte ndeshje shumë me rëndësi për ne, duke marrë parasysh se paraqitja me Andorrën ishte shumë e mirë dhe ishte e nevojshme që të vazhdojmë këtë hap të mirë. Kemi qenë të gjithë të motivuar për këtë fitore dhe duhet të vazhdojmë kështu, ngase kualiteti ynë është shumë i madh dhe duhet t’i shfrutëzojmë mundësitë që i kemi. Sot ka qenë stërvitja e parë pas lojës, ngase dje kemi bërë rigjenerim në hotel. Gjithçka po shkon mirë. Duhet të vazhdojmë kështu, duhet të tregojmë disiplinë dhe të tregojmë se mundemi dhe nëse kem synime për të ardhmen duhet të jemi sa më të bashkuar", është shprehur ai. Në Zvicër do të jetë ndeshje pak më ndryushe sepse edhe stadiumi do të jetë i mbushur me shumë shqiptarë. Për ne duhet të jetë motivi edhe më i madh dhe të tregojmë karakter dhe të jemi sa më shumë të bashkuar për t’ia arritur qëllimeve që i kemi në të ardhmen”.

Kombëtares në grumbullim iu kanë bashkuar edhe Florent Hadërgjonaj dhe Mërgim Vojvoda, të cilët munguan në ndeshjen e parë, derisa në stërvitje ka munguar Vedat Muriqi, i cili është lënduar në pjesën e dytë kundër Izraelit dhe tashmë pas ekzaminimeve mjekësore është konstatuar se do t’i humbasë dy ndeshjet e fundit të kësaj fushate kualifikuese.