Tajon Buchanan, kanadezi i parë në Serie A
Uran Krasniqi/RTKLive
Tajon Buchanan ka nënshkruar me Inter Milan nga Club Brugge dhe ai do të bëhet kanadezi i parë që do të luajë në ligën elitare të Italisë, ka njoftuar klubi i Serie A të premten.
Njëzet e katër vjeçari ka bërë dymbëdhjetë paraqitje në ligë për Brugge këtë sezon, duke shënuar dy gola. Gjithashtu ai ka bërë tridhjetë e pesë paraqitje për Kanadanë dhe ka startuar të tri ndeshjet në grup në Kupën e Botës 2022.
“Jam vërtet krenar që jam kanadezi i parë që luaj në ligën italiane, është një arritje e madhe që më bën shumë krenar”, ka thënë Buchanan. “Unë e kam ndjekur Interin për një kohë të gjatë, është një ekip në të cilin e shoh veten, jam shumë i emocionuar për atë që më pret”.
Inter aktualisht kryeson renditjen e Serie A, dy pikë para Juventusit dhe të shtunën pret Hellas Veronan.























