Rrahmani shënon në ‘frymën e fundit’ të ndeshjes për fitoren e Napolit
B. H. | RTKlive
Kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani ka qenë heroi i fitores së Napolit kundër Salernitanës në fitoren 2:1, në kuadër të xhiros së 20-të.
Rrahmani realizoi në sekondat e fundit të ndeshjes, më saktësisht në minutën e 96-të. Mysafirët kaluan në epërsi në pjesën e parë me golin e mrekullueshëm të veteranit Antonio Candreva, në minutën e 29-të. Por, napolitanët vazhduan me vrull drejt portës kundërshtare dhe arritën të barazojnë shifrat para shkuarjes në pushim, kur Matteo Politano barazoi nga penalltia. Në pjesën e dytë Napoli luajti më mirë, por nuk arriti të gjejë rrjetën deri në momentin kur Rrahmani u gjend si duhet në rrëmujën e krijuar në zonë. Kësisoj, Napoli regjistroi fitoren e nëntë në këtë edicion dhe tani ngjitet në pozitën e gjashtë me 31 pikë, ndërsa Salernitana mbetet në fund, me vetëm njëmbëdhjetë pikë. Ndërkohë, Genoa dhe Torino e mbyllën përballjen e tyre pa gola, 0:0.























