LDK: Qeveria Kurti dështimet i përkthen si suksese
BKT
Foto: Elmina Osmani
Lajme

LDK: Qeveria Kurti dështimet i përkthen si suksese

E. Hoti / RTKlive

Berat Rukiqi nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka thënë se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, ka një aftësi të veçantë që dështimet t’i përkthejë si suksese.

Në një konferencë për media, Rukiqi ka thënë se dështimet e qeverisë e kanë burimin në paaftësinë dhe arrogancën e saj.

“Ajo që është shumë e rëndësishme të theksohet është se të njëjtat dështime po na vijnë me faturë të shtrenjtë dhe këtë po e paguajnë qytetarët e vendit. Për habi ka një aftësi të veçantë nga kjo qeveri që të njëjtat dështime t’i përkthejnë si suksese”, ka thënë Rukiqi para gazetarëve.

 Njëri nga dështimet e kësaj Qeverie sipas Rukiqit është rritja e inflacionit. Ai tha se paaftësia e qeverisë për të menaxhuar atë ka ndikuar në mirëqenien e qytetarëve.

 “Ka qenë një përgjigje arrogante kur kemi kërkuar të rritet koeficienti i pagës tek një pjesë e mirë e sektorit publik dhe tani kjo po na reflektohet. Qytetarët detyrohen që mbi 50 për qind të pagës së tyre ta shpenzojnë për produktet bazë”, ka thënë ai.

Sipas tij dështim tjetër i qeverisë është edhe deficiti tregtar.”Asnjëherë nuk ka ndodhur që brenda një periudhe trevjeçare të kemi 56. 5 për qind rritje të deficitit tregtar. Dështim në përkrahje të eksporteve, dështim në përkrahje të prodhimit vendorë si dhe dështim në përkrahje të sektorit privat ”, ka thënë Rukiqi.

Rukiqi ka bërë të ditur se LDK do të organizojë edhe një seri konferencash ku sipas tyre do të shpalosen edhe dështimet e qeverisë në segmente tjera. “Në fazat e më vonshme do t’i paraqesim edhe alternativat tona nga programi qeverisës i Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka thënë ai.


MË SHUME NGA Lajme