Shqipëria përmbys Ukrainën, e nis me fitore Ligën e Kombeve
F.B. | RTKlive
(E plotësuar, 22:43) Shqipëria ka arritur një fitore të madhe ndaj Ukrainës, duke triumfuar me rezultat 2:1 në ndeshjen e saj hapëse të Grupit 1 të Ligës B në Ligën e Kombeve, që u zhvillua në Pragë.
Pjesa e parë përfundoi pa gola, me Shqipërinë që krijoi disa mundësi të mira shënimi. Mario Mitaj u dallua në minutën e 9-të me një depërtim të shkëlqyer dhe pasim për Qazim Laçin, i cili gjuajti jashtë. Në minutën e 31-të, Jasir Asani pati një mundësi të artë nga një pasim i Nedim Bajramit, por nuk arriti të konkretizojë.
Ukraina kaloi në epërsi në fillim të pjesës së dytë, në minutën e 49-të, kur Yukhym Konoplya shënoi me një gjuajtje të fuqishme nga zona, pas një reagimi jo të mirë nga portieri Thomas Strakosha.
Megjithatë, Shqipëria reagoi fuqishëm. Vetëm gjashtë minuta më vonë, Ardian Ismajli barazoi rezultatin në minutën e 55-të, pas një tollovie në zonën e Ukrainës.
Derisa përmbysjen e rezultatit kuqezinjtë e arritën në minutën e 66-të, kur Jasir Asani shënoi golin e fitores pas një aksioni të shkëlqyer dhe asistimit të Rey Manajt. Kjo fitore i jep kuqezinjve tri pikë të rëndësishme në nisjen e këtij edicioni të Ligës së Kombeve. Ndeshjen e radhës kuqezinjtë e luajnë pas tre ditësh në “Air Albania” kundër Gjeorgjisë, e cila sot fitoi ndaj Çekisë, 4:1.
Shqipëria në epërsi, Jasir Asani shënon për 2:1
Shqipëria e ka përmbysur rezultatin në ndeshjen ndaj Ukrainës. Jasir Asani ka shënuar në minutën e 66-të, për rezultatin 2:1, pas një aksioni shumë të mirë dhe asistimit të Rey Manajt..
Ardian Ismajli shënon golin e barazimit
Ardian Ismajli i ka barazuar shifrat në ndeshjen e Grupit 1 të Ligës B në Ligën e Kombeve kundër Ukrainës, 1:1.
Mbrojtësi kosovar realizoi në minutën e 55-të, me një gjuajtje nga afërsia pas një tollovie të krijuar në zonën e ukrainasve.
Paraprakisht Ukraina kishte kaluar në epërsi në minutën e 49-të, kur mbrojtësi i krahut të djathtë që luan te Shakhtari, Yukhym Konoplya, shënoi me gjuajtje të fuqishme nga zona, falë edhe një reagimi jo të mirë të portierit Strakosha.
Mbyllet pa gola pjesa e parë, Ukrainë-Shqipëri
Pjesa e parë e ndeshjes ndërmjet Ukrainës dhe Shqipërisë, e cila po zhvillohet në Pragë, përfundoi pa gola.
Shqipëria pati disa raste të mira për të kaluar në epërsi. Në minutën e 9-të, Mario Mitaj bëri një depërtim të bukur duke shmangur tre futbollistë dhe pasoi për Qazim Laçin, i cili gjuajti jashtë. Më vonë, Kristjan Asllani harkoi nga krahu i majtë, por Rey Manaj dhe Laçi nuk arritën të përfitonin.
Në minutën e 31-të, Jasir Asani pati një rast të mirë nga një pasim i Bajramit, por nuk goditi direkt. Vetë Laçi, në minutën e 40-të, gjuajti pranë shtyllës pas harkimit të Asanit.
Edhe pse Ukraina pati më shumë kontroll të topit, rastet më të rrezikshme i krijoi Shqipëria.























