Boshnjaku: Jemi përgatitur për edicionin e dytë të Festivalit të Këngës
K. Kasumi / RTKlive
Dy javë na ndajnë nga edicioni i dytë i Festivalit të Këngës në RTK, i cili do të mbahet tri net, me dy net garuese dhe me natën finale. Drejtori artistik i Festivalit të Këngës në RTK, Florent Boshnjaku, ka thënë se janë përgatitur mjaft mirë për këtë festival.
Boshnjaku në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK ka thënë se beson që sivjet do të jetë më i lehtë organizimi i festivalit.
“Besoj që edhe këtë vit jemi përgatitur mjaft, mirëpo ballafaqohemi me të panjohura çdo ditë, për fat të keq, për shkak të problemeve teknike. Vjet e kemi kaluar testin e besoj që sivjet edhe më lehtë e kemi”, ka deklaruar ai.
Drejtori artistik i Festivalit të Këngës në RTK, Boshnjaku, ka thënë se duhen gjetur mënyra se si të ndihmohet RTK-ja që ta krijojë orkestrën e vet, e cila duhet të jetë e angazhuar gjatë gjithë vitit.
Duke folur për aplikimin e këngëtarëve për të marrë pjesë në festival, ai ka thënë se ka pasur aplikime, mirëpo kanë shpresuar se do të ketë më shumë. “Ende është një hezitim i arsyeshëm, sepse të gjithë presin që Kosova të shkojë në ‘Eurosong’, ka thënë Boshnjaku.
Ai ka thënë se beson dhe uron që Kosovën sa më shpejt ta shohim në skenën ku e ka vendin, sepse e meriton.
“Për fat të keq, as sivjet nuk jemi në ‘Eurosong’, edhe pse përpjekjet janë bërë, letrat janë dërguar më herët prej menaxhmentit të RTK-së në EBU”, ka deklaruar Boshnjaku.
Sa i përket zhanrit të këngëve, balada është më e pranishmja në festival, tha ai.
“Në festival njerëzit sjellin balada, sepse ato tregojnë potencialin. Një pjesë e madhe e këngëve shkon kah balada, por kemi edhe këngë energjike, rock, pop… Ka stile të ndryshme. Programin të cilin e kemi përgatitur, besoj publiku do ta shijojë.
Sikurse vitin e kaluar, edhe këtë vit kemi artistë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, tha ai.
Ai bëri me dije se kemi pjesëmarrës shumë nga Shqipëria, por edhe në ekip kemi njerëz nga Shqipëria.























