Radio Kosova nis javë maratonike me program special për Festivalin e Këngës
Albulena Bytyçi/RTK Radio
Nga sot, Radio Kosova nis javën maratonike me program special për Festivalin e Këngës në RTK që mbahet më 24 deri me 26 tetor. Në këtë kuadër Radio Kosova në Programin e Parë dhe të Dytë do të ketë emisione të veçanta kushtuar festivalit, me të ftuar në studio, reportazhe e dokumentarë, intervista nga terreni si dhe transmetime të drejtpërdrejta me prapaskena ekskluzive nga Pallati i Rinisë.
Radio Kosova ka bërë përgatitjet e duhura për fillimin e programit maratonik që i kushtohet Edicionit të Dytë të Festivalit të Këngës në RTK. Ushtruesja e detyrës së Kryeredaktores në Radio Kosovë, Rrezarta Zekaj, thotë se këtë vit, ekipi i Radios përveç transmetimit të drejtpërdrejtë të festivalit, do të sjellë edhe prapaskenat e festivalit, që e veçojnë mbulimin e kësaj ngjarjeje.
"Festivali i Këngës në RTK do të ketë një hapësirë të veçantë në skemat programore në të dy kanalet e Radio Kosovës, Radio Kosova 1 dhe Radio Kosova 2. Në këtë kuadër, do të ketë transmetim të drejtëpërdrejtë për tri netë radhazi në Programin e Parë me moderator në studio. Ndërsa në Programin e Dytë do të sjellim prapaskenat e Festivalit, me intervista që shpalosin emocionet e pjesëmarrëvse dhe të ftuarve të tjerë. E gjithë kjo është menduar të realizohet përmes një studio mobile e cila do të vendoset në hapësirën e Pallatit të Rinisë, prej ku do të transmetohet Festivali", deklaron Zekaj.
Zekaj, flet edhe për skemën e veçantë programore, e cila fillon nga 20 deri me 28 tetor, e që në tërësi i kushtohet festivalit. Në këtë kuadër Adelina Ismaili do të jetë mysafirja e parë speciale, e cila përmes emisionit për fëmijë flet për fillimin e karrierës, përjetimet si artiste, sfidat dhe vështirësitë gjatë rrugëtimit të saj.
"Këtë vit, përjetimi i Festivalit është edhe më i veçantë, me program maratonik gjatë tërë javës. Në dy kanalet RK1 dhe RK2 do të ketë emisione speciale me të ftuar në studio, këngëtarë, kompozitorë, skenografë etj. Ndërsa pas secilës natë të festivalit, të nesërmën do të ketë emision special për të analizuar rrjedhës e ngjarjes. Ndërkohë intervistat nga studio, por edhe nga prapaskenat e festivalit do të publikohen në platformat online", thekson Zekaj.
Radio Kosova po ashtu, ka përgatitur edhe një cikël të emisioneve, që prezantojnë muzikën e Akordeve të Kosovës, e cila është nxjerrur nga dixhitalizimi i materialeve arkivore të ish Radio Prishtinës. Java e programit maratonik përmbyllet me 28 tetor, në emsionin “Mesdita”, ku dëgjuesit mund të informohen me përmbledhjen dhe përmbajten e gjithë organizimit të kësaj ngjarjeje kulturore në RTK.
Festivali i Këngës fillon me 24 deri me 26 tetor, ndërsa biletat e festivalit edhe këtë vit janë pa pagesë dhe mund të rezervohen për të tri netët e festivalit nëpërmjet emailit: [email protected].























