Vëllaznimi triumfon në finalen Ligës Unike
BKT
Sport

Vëllaznimi triumfon në finalen Ligës Unike

Uran Krasniqi / RTKLive

(E plotësuar, 22:52) Vëllaznimi është shpallur kampion i Ligës Unike në basketboll në një finale dramë kundër Prishtinës, duke triumfuar me rezultat 91-88 pas vazhdimeve.

Koha e rregullt ka përfunduar me barazim 78-78, pasi të dy skuadrat nuk ia kanë dalur të shfrytëzojnë gjuajtjet e lira në momentet vendimtare.

Arian Azemi e ka pasur mundësinë ta siguronte fitoren për Vëllaznimin katër sekonda para fundit, por ka realizuar vetëm një nga dy gjuajtjet e lira. Ka pasuar një pasim i gabuar nga Rashid Mahalbashiq dhe një tentim i pasuksesshëm për tri pikë nga Arbër Sinani, duke e dërguar ndeshjen në vazhdime.

Edhe pesë minutat shtesë kanë qenë të tensionuara, por në fund “kuqezinjtë” e Vëllaznimit kanë dalur fitues. Atik Koshi ka realizuar dy pikë nga gjuajtja e lirë për 89-86, ndërsa Clark i Prishtinës ka ngushtuar në 89-88. Në kundërsulm, Sinani ka shënuar për 91-88, ndërsa tentimi i Fisnik Rugovës nga gjysma e fushës për tri pikë ka dështuar, duke i dhënë fund finales me festën e e gjakovarëve.

Arian Azemi ka qenë lojtari më i mirë për Vëllaznimin me njëzet e katër pikë, gjashtë kërcime dhe tri asistime, ndërsa për Prishtinën, Mahalbashiq është dalluar me nëntëmbëdhjetë pikë, nëntë kërcime dhe katër asistime.

Finalja është ndjekur nga tifozëritë dhe në mesin e të pranishmëve në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve ka qenë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Ndërkohë, Golden Eagle Ylli nuk e ka zhvilluar ndeshjen për vendin e tretë kundër Besëlidhjes, duke e arsyetuar mungesën me lodhjen e lojtarëve, ndeshjen e radhës ndaj Bashkimit dhe lëndimet e shumta në ekip.

Finalja e Ligës Unike shkon në vazhdime

Koha e rregullt e finales së Ligës Unike mes Vëllaznimit dhe Prishtinës ka përfunduar me barazim 78-78, pasi të dy skuadrat kanë dështuar të shfrytëzojnë gjuajtjet e lira në momentet vendimtare.

Ky rezultat e ka dërguar ndeshjen në vazhdime.

Ndeshja është ndjekur nga tifozëria dhe në mesin e të pranishmëve në stadium ka qenë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.  

Ndërkohë, Golden Eagle Ylli nuk ka udhëtuar për ndeshjen për vendin e tretë kundër Besëlidhjes në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve. Skuadra ka arsyetuar mungesën me mbingarkesën e lojtarëve, ndeshjen e radhës ndaj Bashkimit të shtunën dhe lëndimet e shumta në ekip.