Kastrioti triumfon ndaj Besa Famgas
Uran Krasniqi / RTKLive
Kastrioti ka shënuar një fitore në Superligën e Hendbollit të Kosovës, duke mposhtur Besa Famgasin me rezultat 40:37 në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj.
Pjesa e parë ka qenë e barabartë, me vendasit që fillimisht kanë krijuar një epërsi prej 5:2 dhe më pas e kanë mbajtur distancën me tri gola në disa momente. Megjithatë, pejanët kanë reaguar dhe kanë barazuar rezultatin në 20:20 pas tridhjetë minutash lojë.
Në fillim të pjesës së dytë, Besa Famgas ka kaluar për herë të parë në epërsi me dy gola (22:20, 23:21), por Kastrioti e ka rikthyer ekuilibrin.
Lufta për çdo gol ka vazhduar deri në minutat e fundit, ku hendbollistët ferizajas kanë arritur të krijojnë një avantazh të sigurt dhe ta mbyllin ndeshjen me 40:37.
Pas kësaj fitore, Kastrioti gjendet në vendin e dytë e Besa Famgas në pozitën e tretë. Tabela kryesohet nga Rahoveci.























