Drita dhe Prishtina përballen sot në gjysmëfinalen e Kupës së Kosovës
B.H./RTKlive
Spektakli i futbollit kosovar rikthehet sot me një përballje të zjarrtë në kuadër të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës.
Në një ndeshje që premton emocione të mëdha, dy rivalët e vjetër, Drita dhe Prishtina do të matin forcat në stadiumin me bar artificial në Gjilan, me fillim nga ora 15:00, në ndeshjen e parë të kësaj faze.
Bëhet fjalë për dy prej klubeve më të mëdha dhe më të suksesshme të pasluftës, që historikisht kanë dhuruar duele interesante për adhuruesit e futbollit. Gjilanasit, që aktualisht janë shumë pranë titullit të kampionit në elitën e futbollit kosovar, e shohin Kupën si mundësi për të kurorëzuar një sezon të jashtëzakonshëm.
Në anën tjetër, Prishtina, me trajnerin e ri Arsim Thaqi është e motivuar të rifitojë lavdinë e dikurshme. Pas një periudhe jo shumë të suksesshme nën drejtimin e francezit Jean-Michel Cavalli, bardhekaltrit shpresojnë që përmes kupës jo vetëm të ngrejnë një trofe, por edhe të sigurojnë pjesëmarrjen në garat evropiane.
Kjo është vetëm gjysma e parë e betejës, pasi ndeshja e kthimit do të luhet në Prishtinë, aty ku me gjasë edhe do të vendoset finalistja.
Ndërkohë, gjysmëfinalja e dytë, mes Drenicës dhe Llapit, do të zhvillohet nesër.























