Bora me një hap drejt qëndrimit në Superligë
BKT
Sport

Bora me një hap drejt qëndrimit në Superligë

Uran Krasniqi/RTKLive

Skuadra e Borës nga Prishtina ka marrë një fitore të madhe në betejën për qëndrimin në Superligën e Kosovës në basketboll, duke e mposhtur KEK-un në Obiliq me rezultat të thellë, 109:73, në ndeshjen e parë të "playout".

Bora, që e ka përfunduar sezonin në Superligë si e parafundit, ka shfaqur dominim të plotë ndaj KEK-ut, i cili në Ligën e Parë është renditur në vendin e dytë. Tani fati i skuadrës për edicionin e ardhshëm do të vendoset në ndeshjen e dytë që zhvillohet në Prishtinë, ku skuadra më e suksesshme nga dy përballjet do të sigurojë një vend në elitën e basketbollit kosovar.

Desmond Cambridge ka qenë i pandalshëm në këtë përballje, duke realizuar 22 pikë dhe gjashtë topa të rrëmbyer. Alex Lomax ka pasur 13 pikë, 9 asistime dhe 7 kërcime, ndërsa Dion Haxhosaj ka dhënë kontribut me 18 pikë dhe 6 kërcime. Adem Mekiq është dalluar me një paraqitje të plotë: 11 pikë, 12 kërcime dhe 6 asistime, kurse Musab Mala ka shtuar edhe 15 pikë.

Nga ana tjetër, KEK-u ka treguar pak rezistencë përballë sulmit të skuadrës prishtinase. Adrian Ibishi është dalluar me 12 pikë dhe 10 kërcime, ndërsa Reggie Clark ka shënuar 14 pikë.