Barcelona mposht Mallorca dhe forcon pozitën e parë në La Liga
Uran Krasniqi/RTKLive
Barcelona ka shënuar një fitore me peshë në Javën e 33-të të La Ligës, duke e mposhtur skuadrën e Mallorca me rezultat minimal 1-0 në “Estadi Olímpic Lluís Companys”.
Golin e vetëm të takimit e ka realizuar Dani Olmo në minutën e 46-të pas asistimit të Eric Garcia, duke i siguruar tri pikët e radhës skuadrës së drejtuar nga Hansi Flick.
Pjesa e parë ka përfunduar pa gola, me disa raste të rrezikshme nga të dyja skuadrat.
Në pjesën e dytë, pas golit të hershëm të Olmo, Barça e ka menaxhuar epërsinë përmes lojës me posedim të lartë dhe zëvendësimeve të shpeshta.
Në këtë ndeshje ka munguar reprezentuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, i cili nuk është paraqitur fare në fushë për skuadrën mysafire.
Me këtë fitore, Barcelona arrin në kuotën e 76 pikëve dhe vazhdon të kryesojë tabelën e La Liga, shtatë pikë përpara Real Madridit që ka 69 pikë. Mallorca, përkundër humbjes, qëndron në vendin e shtatë me 44 pikë.























