‘Athletic Bilbao-Man United, do të prodhojë një sfidë zjarrtë’
F.B/RTKLive
‘Ethet’ e Europa League-s rikthehen sonte me dy gjysmëfinalet e para të kësaj ligë joshëse.
Padyshim se kryesfida do të luhet në Bilbao, ku Athletic do të ballafaqohet me Manchester Unitedin, ndeshje kjo që do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK.
Ballafaqimi mes Bilbao-s dhe ‘Djajve të Kuq’ parashikohet të sjellë një ndeshje të fortë pasi që të dy skuadrat synojnë të prekin finalen e madhe të kësaj garë evropiane.
Analistët e RTK-së, Rafet Prekazi dhe Malsor Gjonbalaj në emisionin që i dedikohet Europa League-s, janë shprehur të bindur se dueli mes Bilbao-s dhe Man United-it do të sjellë një ndeshje të fortë dhe dramatike për gjatë 90-të minutave.
Prekazi beson në një superndeshje
Trajneri i njohur kosovar Rafet Prekazi mendon se Man United vetëm me trofeun e Europa League mund ta shpëtojë sezonin. Sipas tij, Athletic Bilbao ka motiv të madh pasi që finalja e kësaj garë do të luhet pikërisht në Bilbao.
“Një Manchester që në Angli po tregon formë të dobët, derisa në Europa League ku nuk ka asnjë humbje”, ka thënë Prekazi.
“Manchester shansin e vetme që të luajë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm e ka vetëm nëse e fiton Europa League-n. Ndërsa Bilbao ka motiv shtesë pasi që finalja luhet në stadiumin e tyre dhe Bilbao ka gjasa të mëdha që vitin e ardhshëm të luajë në Champions në bazë të renditjes momentale në La Liga”, ka theksuar Prekazi.
Dragusha: Dy trajnerë që taktikisht luajnë ndryshe
Edhe Muhamet Dragusha, një tjetër trajner i futbollit tonë, mendon se dueli mes Athletic Bilbao-s dhe Man Unitedit do të dhurojë një sfidë të fortë.
“Bilbao vërtetë në Europa League po shkëlqen dhe ka mposhtur ekipe të mëdha, e një ndër to edhe Romën. Besoj se sot do të jetë një lojë e fortë,e vështirë pasi Bilbao përball do ta ketë një skuadër të madh si Man United pavarësisht formës jo të mirë në Angli”, ka pohuar Dragusha.
“Vet emri i kundërshtarit tregon se më kë do të luajë Bilbao. Besoj se Bilbao edhe sonte do të vazhdojë më formën e mirë. Të dy trajnerët luajnë taktikisht ndryshe dhe janë dy bota të ndryshme dhe në fund do të shihet se kush do të triumfojë”, ka deklaruar ai.
Ndeshja Bilbao-Man United fillon në orën 21:00, derisa krahas kësaj sfidë, do të luhet edhe gjysmëfinalja tjetër mes Tottenhamit dhe Bodoe/Glimt.























