Inter është finalisti i parë i Champions League
Uran Krasniqi/RTKLive
(E plotësuar, 23: 39) Inter është finalisti i parë i këtij edicioni të Champions League, pas një përballje dramatike ndaj Barcelonës, që është mbyllur me rezultat 4-3 në favor të zikaltërve dhe 7-6 me rezultat agregat.
Ndeshja e kthimit në Milano ka ofruar një tjetër spektakël futbolli, duke përfunduar në kohën e rregullt me rezultat 3-3, ashtu si edhe ndeshja e parë në “Camp Nou”, dhe duke çuar ndeshjen në vazhdime. Ka qenë Frattesi, ai që ka dalur hero i Inter, me golin vendimtar në minutën 99’, duke vulosur rezultatin 4-3 dhe kualifikimin e skuadrës italiane në finale.
Inter e ka nisur ndeshjen më mirë, duke marrë epërsinë përmes Lautaro Martinez në minutën e 21-të, ndërsa Hakan Calhanoglu e ka dyfishuar avantazhin nga penalltia pak para përfundimit të pjesës së parë.
Në pjesën e dytë, Barcelona ka reaguar me tre gola. Fillimisht Eric Garcia e ka ngushtuar diferencën në minutën e 54-t, ndërsa Dani Olmo e ka barazuar rezultatin në minutën e 60-të.
Kur gjithçka po shkonte drejt një triumfi katalanas pas golit të Raphinha në minutën e 88-të për rezultatin 2-3, Francesco Acerbi ka realizuar në minutën 90+3’, duke e çuar sfidën në kohë shtesë.
Në minutën e nëntë të vazhdimeve, Frattesi e ka gjetur rrjetën për Inter, duke siguruar një tjetër finale për klubin nga Milano.
Interi tani pret të mësojë kundërshtarin e finales, që do të vendoset nga përballja e së mërkurës ndërmjet PSG-së dhe Arsenal.

Baras edhe në Milano, Inter - Barcelona shkon në vazhdime
Edhe në Milano si në Barcelonë: Inter dhe Barcelona e kanë mbyllur ndeshjen baras 3-3 duke e çuar përballjen në vazhdime.
Skuadra italiane e ka nisur ndeshjen më mirë, duke shënuar që në minutën e 21-të me Lautaro Martinez, ndërsa Hakan Calhanoglu ka realizuar për rezultatin 2-0 nga penalltia nga fundi i pjesës së parë.
Por Barcelona, e drejtuar nga Hansi Flick, ka reaguar në pjesën e dytë. Fillimsiht Eric Garcia e ka ngushtuar rezultatin në minutën e 54-t dhe më pas Dani Olmo ka barazuar në 2-2 në minutën e 60-të.
Kur është dukur se katalanasit do të siguronin fitoren falë golit të Raphinha në minutën e 88-të për 2-3, Francesco Acerbi e ka barazuar rezultatin për Inter në minutën 90+3’, duke e çuar ndeshjen në kohë shtesë.
Pas dy ndeshjeve me gola dhe emocione të shumta, 6-6 rezultati agregat, fituesi i kësaj gjysmëfinaleje ende nuk është vendosur. Kësisoji tridhjetë minutat e vazhdimeve do të përcaktojnë se kush do të përballet në finale me fituesin e përballjes PSG – Arsenal.























