Duka përgëzon Igli Taren për marrëveshjen me Milan
Uran Krasniqi/RTKLive
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, e ka cilësuar marrëveshjen e Igli Tares me Milanin si një sukses të madh personal dhe profesional për Taren, por edhe një vlerësim për gjithë futbollin shqiptar.
Tashmë marrëveshja është arritur dhe kanë mbetur vetëm disa detaje të vogla për t’u qartësuar përpara se të zyrtarizohet emërimi i Tares si Drejtor Sportiv i klubit të Milan. Ish-drejtori i Lazio ka nënshkruar për tri vite me gjigantin italian dhe pritet që zyrtarizimi i tij të ndodhë brenda pak ditësh.
“Emërimi yt si Drejtor Sportiv i klubit të Milanit është një arritje vërtetë e rëndësishme. Besoj fort se profesionalizmi, përkushtimi dhe vizioni yt do ta ndihmojnë këtë klub legjendar të rikthehet në nivelet që i takojnë, ashtu si në kohët e lavdishme të historisë së tij. Ti ke dëshmuar më parë te Lazio, ku për vite me radhë ke ndërtuar me sukses një projekt të qëndrueshëm dhe konkurrues në arenën ndërkombëtare. Tani të pret një tjetër sfidë e madhe, por jam i bindur se do t’ia dalësh edhe këtë herë, me të njëjtën maturi dhe pasion për lojën”, ka shkruar Duka.























