Neymar rikthehet, por është i pasigurt për të ardhmen te Santos
Uran Krasniqi/RTKLive
Ylli brazilian i futbollit, Neymar, është rikthyer në fushë pas një mungese më shumë se njëmuajshe për shkak të një lëndimi, por rikthimi i tij nuk ka mjaftuar për ta ndalur eliminimin e Santosit nga Kupa e Brazilit.
Santos është mposhtur nga CRB pas penalltive me rezultat 5-4, në raundin e tretë të turneut, pas dy barazimeve në ndeshjet e rregullta.
Tridhjetë e tre vjeçari, i cili ka vuajtur nga disa lëndime serioze gjatë viteve të fundit, ishte kthyer së fundmi te klubi i fëmijërisë pas një periudhe në Arabinë Saudite me Al Hilal.
Sipas raportimeve të mediave braziliane, kontrata e Neymar me Santos skadon më 30 qershor dhe e ardhmja e tij mbetet e paqartë. I pyetur nëse do të vazhdojë të jetë pjesë e klubit, ai është përgjigjur shkurt për Amazon Prime:
“Nuk e di ende”, ka thënë ylli brazilian.
Ndërkohë, klubi legjendar brazilian po përballet me një krizë të thellë. Pas nëntë xhirove të para të sezonit 2025, Santos ndodhet në vendin e parafundit të tabelës, me gjashtë humbje të regjistruara.























