Barcelona e fiton edhe ndeshjen e fundit
BKT
Sport

Barcelona e fiton edhe ndeshjen e fundit

Uran Krasniqi/RTKLive

Barcelona e ka mbyllur sezonin 2024/25 me një fitore të lehtë 3:0 ndaj Athletic Bilbao në “San Mames”, duke i dhënë fund kampionatit me katër pikë më shumë se Real Madrid dhe me një seri prej shtatë fitoresh në tetë ndeshjet e fundit.

Athletic e ka nisur vrullshëm dhe ka besuar se e ka gjetur golin e parë pas një goditje me kokë të nga Maroan Sannadi, por VAR e ka anuluar për pozicion jashtë loje. Nico Williams ka rrezikuar pak minuta më pas, gjë e cila ka ndikuar që Barcelona për një kohë të mbetet tërësisht në gjysmëfushën e saj.

Po megjithatë gjërat kanë ndryshuar. Një bashkëveprim mes Pedri, Fermin Lopez dhe Lewandowski, kanë bërë që skuadra katalanase ta gjejë golin, kur polaku ka paraboluar, duke shënuar golin e 100-të me fanellën "blaugrana".

Vetëm disa minuta më pas, sulmuesi polak e ka dyfishuar epërsinë me një goditje me kokë pas një goditje këndi.

Dominimi nga Barcelona në pjesën e parë ka nxitur tifozët vendas ta shprehin pakënaqësinë e me fishkëllima.

Në pjesën e dytë, Barça e ka mbajtur ritmin e lartë dhe ka pasur kontroll të plotë të lojës. Një pasim i Raphinha i ka dhënë mundësi Lewandowski për ta kompletuar tripletën, por ai e ka dërguar topin në tribunë.

Më vonë, polaku e ka humbur edhe një tjetër rast të artë.

Athletic ka pasur disa përpjekje, por nuk ka arritur të konkretizojë. Në minutën e shtatëdhjetë, një autogol i mundshëm nga Pau Cubarsi është ndalur nga traversa dhe e ka ruajtur rezultatin.

Në minutën e nëntëdhjetë e katërt, Dani Olmo e ka vulosur rezultatin me një penallti të saktë.

Bilbao e ka mbyllur kampionatin duke u gjetur në vendin e katërt me 70 pikë.